Përfundon rinumërimi në 18 komuna, në proces rreth 650 vendvotime tjera

Përfundon rinumërimi në 18 komuna, në proces rreth 650 vendvotime tjera

Gati gjysma e komunave të Kosovës kanë arritur që të përfundojnë rinumërimin e fletëvotimeve që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

Pavarësisht se bëhet fjalë për gjysmën e komunave, numri i vendvotimve të rinumëruara përbën vetëm 29% të vendvotimeve për të cilat KQZ ka vendosur që të rinumërohen tërësisht.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, për Ekonomia Online ka shpalosur të dhënat e fundit nga procesi i rinumërimit që është duke u zhvilluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

“Nga fillimi i këtij procesi (e martë, 13 janar 2026, ora 18:00) dhe deri më tani (e premte, 16 janar 2026, ora 16:00) janë rinumëruar më shumë se 260 vendvotime nga 914 sa janë planifikuar të rinumërohen. Procesi i rinumërimit është përmbyllur në 18 komuna, ndërkaq është duke vazhduar në 2 komuna të tjera, Prishtinë (26) dhe Prizren (235)”, tha Elezi.

I pyetur se a do të ketë rinumërime të tjera, përveç këtyre vendvotimeve, që përbëjnë 36% të tyre në nivel vendi, Elezi tha se kjo varet nga gjetjet gjatë këtij procesi.

“Sipas vendimit të KQZ, në 10 komuna do të rinumërohen 100% të vendvotimeve, ndërsa në 28 të tjera vetëm nga 10% e vendvotimeve. Se, a do të ketë rinumërim tjetër në këto komuna ku rinumërohet një numër i kufizuar i vendvotimeve, do të varet nga gjetjet gjatë këtij procesi”, tha Elezi.

Deri më tani, komunat që kanë përfunduar me rinumërim, apo që janë në proces e sipër, janë: Deçan (5/5), Gjakovë (15/15), Gllogoc (7/7), Gjilan (13/13), Dragash (57/57), Istog (6/6), Kaçanik (45/45), Klinë (6/6), Fushë Kosovë (6/6), Kamenicë (5/5), Mitrovicë e Jugut (10/10), Leposaviq (25/25), Lipjan (9/9), Novobërdë (2/2), Obiliq (3/3), Rahovec (8/8), Pejë (14/14), Podujevë (11), Prishtinë (10/26) dhe Prizren (9/235)./Periskopi

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti