Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u lëshua në gjuhë të rëndë me akuza për “baltosjeje mercenare” pas raportimeve se bashkëshortja e kreut të LDK-së, Albina Kastrati Abdixhiku, më 15 prill 2024 ka hapur një kompani që, ndër të tjera, merret me “tregtim të energjisë elektrike”, “prodhim të energjisë elektrike” dhe “transmetim të energjisë elektrike”.
Në reagimin e tij në Facebook, Abdixhiku i cilëson këto pretendime si shpifje të orkestruara nga “grupe parapolitike”. “Natyrisht që, në ditë zhvillimesh me interes kombëtar, aktivizohen grupet parapolitike me shpifje. Në këtë aktivizim, përmes rrjeteve të tyre të lidhura me shantazh dhe presion, ata nuk hezitojnë të përfshijnë edhe anëtarë të familjeve”, ka deklaruar ai.
Ai i quajti gazetarët pjesë të një “bote të errët” të mbushur “përplot mllef e urrejtje”. “E kuptoj se në botën e errët ku jetojnë këta njerëz përplot mllef e urrejtje, përpjekja për të përbaltur këdo është mënyrë ekzistence”, ka thënë mes tjerash Abdixhiku./Periskopi/

