4 Marsi vendimtar për Presidentin e Kosovës – Çfarë thonë deputetët e komuniteteve joshumicë?

4 Marsi vendimtar për Presidentin e Kosovës – Çfarë thonë deputetët e komuniteteve joshumicë?

Afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës po afrohet, ndërsa 4 marsi mbetet data e fundit kur Kuvendi duhet të arrijë ta zgjedhë kreun e ri të shtetit.

Në të kundërtën, vendi rrezikon të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare duke e futur skenën politike në një tjetër cikël paqartësish.

Derisa emri i presidentes aktuale, Vjosa Osmani vazhdon të përmendet si opsioni më i mundshëm për një mandat të ri, në media janë përfolur edhe emra të tjerë potencialë.

Mes tyre, në opinion janë lakuar edhe disa anëtarë të familjes Jashari, si figura që mund të propozohen për postin e presidentit.

Deputetët e komuniteteve jo-serbe për “Front Online” kanë folur lidhur me qëndrimet e tyre karshi emrave të lakuar për president.

Emilja Rexhepi tregon se është takuar me Vjosa Osmanin: Se kam problem të votoj për të nëse ajo është përsëri kandidate

Kryetarja e Nova Demokratska Stranka (NDS), Emilja Rexhepi ka bërë të ditur se partia e saj po pret propozimin zyrtar nga Kryeministri Albin Kurti për kandidaturën e presidentes së ardhshme të Kosovës.

Rexhepi tha se dje ka zhvilluar një takim me Vjosa Osmani dhe nuk ka asnjë problem të mbështesë votimin e saj.

“Po presim propozimin zyrtar nga Kryeministri Kurti në lidhje me kandidaten për presidenten tonë të ardhshme. Dje u takova me Presidenten Osmani dhe nuk kam problem të votoj për të nëse ajo është përsëri kandidate”, u shpreh Rexhepi.

Erxhan Galushi: Familja Jashari apo Vjosa Osmani, do ta kenë votën time

Deputeti nga radhët e komuniteteve joshumicë, Erxhan Galushi, ka deklaruar se nuk është në favor të bllokimit të institucioneve në këtë fazë vendimtare për vendin.

Ai tha se kreu i ardhshëm i shtetit duhet të jetë figurë unifikuese, por ka lënë të hapur mbështetjen e tij për disa emra që janë përfolur publikisht.

“Ne nuk jemi për bllokimin e institucioneve sidomos tash që ka mbet veç edhe zgjedhje e presidentit, kushdo qoftë do të jetë figurë unifikuese dhe për të mirën e qytetarëve. Nuk ka pas diskutim të drejtpërdrejtë as me kryeministrin, por qoftë nga familja Jasharaj ose Vjosa Osmanin do ta ketë votën time”, ka thënë Galushi për “Front Online”.

Fikrim Damka flet për propozimin për president: Do të veprojmë sipas qëndrimit të koalicionit

Kryetari i Kosova Demokratik Türk Partisi (KDTP), Fikrim Damka ka thënë për “Front Online” se subjekti që ai drejton do të veprojë në përputhje me qëndrimet e koalicionit sa i përket çështjes së zgjedhjes së presidentit.

Damka ka theksuar se KDTP është partnere në koalicionin qeverisës dhe çdo vendim do të varet nga diskutimet me Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

“Ne jemi partner të koalicionit dhe nëse vjen propozim prej partnerëve e mbështesim, krejt këto do të varën nga diskutimet me LVV pasi jemi në koalicion me të. Nuk e di kush është kandidat për këtë çështje por do të veprojmë sipas qëndrimit të koalicionit”, ka deklaruar Damka.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti