Reuters, The Independent dhe ABC News shkruajnë për dështimin e zgjedhjes së Presidentit: Zgjedhjet e treta brenda një viti

Situata politike në Kosovë ka zënë vend edhe në ballinat e mediave ndërkombëtare. Gjatë së premtes, shumë prej tyre raportuan mbi dështimin për ta zgjedhur presidentin e ri dhe shpërndarjen e Kuvendit.
Reuters, The Independent dhe ABC News janë disa prej mediave që kanë shkruar mbi këtë çështje.
“Ky veprim e zgjat ngërçin politik në Kosovë, shteti më i ri në Evropë, i cili synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vendi nuk pati një qeveri funksionale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar, pasi parlamenti i përçarë nuk arriti të zgjedhë kryetarin e Kuvendit për muaj të tërë”, thuhet mes tjerash në këto raportime.
Po ashtu, theksohet se brenda pak më shumë se një viti këto do të jenë zgjedhjet e treta.
“Zgjedhjet e ardhshme do të jenë të tretat brenda pak më shumë se një viti. Kosova tashmë mbajti zgjedhje të parakohshme më 28 dhjetor, pasi dështoi të formojë qeverinë pas zgjedhjeve të shkurtit 2025.”
Mediat e huaja përmendin edhe fitoren e Lëvizja Vetëvendosje në dhjetor, e cila nuk arriti të sigurojë edhe zgjedhjen e presidentit.
“Megjithatë, edhe pse Vetëvendosje fitoi mjaftueshëm ulëse në parlament për të formuar qeverinë, ajo nuk arriti të sigurojë pjesëmarrjen e opozitës që kërkohet për zgjedhjen e presidentit. Partitë opozitare kanë kërkuar një kandidat konsensual, ndërsa Albin Kurti ka nominuar ministrin e tij të jashtëm, Glauk Konjufca.”
Theksojmë se mëngjesin e së premtes, presidentja Vjosa Osmani nënshkroi dekretin për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.
LAJMI I FUNDIT: Osmani shpërndanë Kuvendin, Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme
Ndërkohë, ajo do të mbajë konsultime me partitë politike për datën e zgjedhjeve të parakohshme.
Osmani me liderët e partive para takimit, Kurti në holl të Kuvendit te ekspozita
Kryeministri Albin Kurti, në anën tjetër, ka thënë se ky dekret nuk është kushtetues.
“Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit nuk është kushtetues, sepse kompetenca për shpërndarjen e Kuvendit mund të ushtrohet vetëm në rastet e paracaktuara shprehimisht nga Kushtetuta. Kjo përbën edhe një tjetër lëndë për Gjykatwn Kushtetuese. Le të presim me qetësi dhe durim, ndërkohë që qeverisim mbarë e mirë si gjithnjë”, ka thënë Kurti./Periskopi
