‘LDK’ i shtroi Iftarin Vjosa Osmanit – Nikoqiri jep detaje
Asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Sopa, ka reaguar pas raportimeve për një iftar ku mori pjesë presidentja Vjosa Osmani, e shoqëruar nga Haxhi Avdyli.
Pasi në media u përfol edhe për praninë e disa përfaqësuesve të LDK-së, Sopa ka sqaruar se takimi nuk kishte karakter politik.
Ai ka bërë të ditur se familja Sopa ka një traditë më shumë se dhjetëvjeçare të ftesës për iftar ndaj presidentes Osmani gjatë muajit të Ramazanit, duke mohuar çdo prapavijë partiake të këtij organizimi.
“Ka më shumë se 10 vite që familja Sopa, çdo vit gjatë Ramazanit, e fton për iftar presidenten Vjosa Osmani. Edhe mbrëmë, ajo ishte e ftuar në familjen time, e shoqëruar nga familja dhe kabineti i saj. Kjo është një traditë e familjes sonë dhe një mikpritje që e kemi ruajtur ndër vite”, ka shkruar Sopa.
Më tej, ai ka sqaruar praninë e personave të tjerë gjatë mbrëmjes.
“Përgjatë iftarit kanë ardhur shumë njerëz për ta përshëndetur presidenten dhe për të bërë fotografi. Por kjo assesi nuk është organizim partiak”, tha ai.
