Prizreni i Lidhjes kthehet në skenë rock-u dhe blues-it për tri net rresht

Prizreni i Lidhjes kthehet në skenë rock-u dhe blues-it për tri net rresht

Prizreni do të gjallërohet sërish këtë verë me tingujt e fuqishëm të muzikës rock dhe blues, teksa Rock n Blues Festival 2025 kthehet me edicionin e tij më të madh deri më tani. Tri net magjike – më 11, 12 dhe 13 korrik – do ta shndërrojnë qytetin historik në një qendër të vërtetë të kulturës muzikore, duke sjellë emra të njohur nga skena shqiptare dhe ndërkombëtare.

Këtë vit, festivali vjen me një format të pasuruar dhe skenë të madhe, me një përzierje të kujdesshme mes legjendave të muzikës dhe energjisë së brezit të ri.

Në mesin e shumë emrave të njoftuar, spikasin Gripin, Elita 5, Minatori dhe shumë bende të tjera që pritet të ndezin atmosferën me performanca të paharrueshme. Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, thekson rëndësinë e këtij festivali për jetën kulturore dhe ekonominë lokale. “Ky është një promovim i qytetit dhe turizmit, ndërsa festivali do të jetë falas për të gjithë,” tha ai, duke inkurajuar qytetarët dhe turistët që t’i bashkohen këtij organizimi unik.

Drejtori i festivalit, Hekuran Gashi, thekson se pas dy edicioneve të suksesshme, këtë vit është rritur besimi dhe gatishmëria e artistëve për të marrë pjesë – si atyre shqiptarë, ashtu edhe ndërkombëtarë. “Më shumë bende shqiptare kemi sjellë sivjet, por pa lënë anash edhe bendet ndërkombëtare. E kemi një përvojë të bukur tash e dy vjet dhe i plotësojmë kushtet edhe si qytet,” deklaroi Gashi.

Sipas tij, përvoja e fituar dhe përkrahja e publikut e kanë kthyer festivalin në një ngjarje të rëndësishme jo vetëm për Prizrenin, por për të gjithë skenën muzikore shqiptare. Festivali falas dhe i hapur për të gjithë Një nga veçoritë më të rëndësishme të Rock n Blues Festival 2025 është fakti se ai mbetet i hapur dhe falas për të gjithë.

Në një kohë kur kultura shpesh bëhet e paqasshme për shumëkënd, organizatorët dhe Komuna e Prizrenit janë përkujdesur që ky festival të jetë një festë e vërtetë për publikun. “Ato mjete që do të paguanin, le t’i ruajnë për qebapa,” tha Totaj me humor, duke shtuar se qëllimi eshte e të ofrojnë mundësi që muzikëdashësit të dëgjojnë muzikën të mirë. Nga skena madhështore në ITP Prizren, deri te rrugët që do të mbushen me vizitorë nga e gjithë Kosova dhe më gjerë, qyteti është gati të përqafojë edhe një herë shpirtin e muzikës rock dhe blues. Rock n Blues Festival 2025 pritet të jetë jo vetëm një ngjarje muzikore, por edhe një përvojë kulturore dhe emocionaleqë do të mbahet mend gjatë.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti