Ringjallja e fantazmave të së kaluarës

Ringjallja e fantazmave të së kaluarës

Shkruan: Imer Mushkolaj

Protestat studentore në Serbi kanë filluar të ngjajnë me ato të viteve 1990, me mesazhe të tipit “Kosova është Serbi” dhe “nuk e japim Kosovën”. Nacionalistë dhe ish-veteranë luftërash po e forcojnë diskursin kundër Kosovës. Protestat po shndërrohen në platformë të atyre e sollën Ballkanin buzë katastrofës

Ajo që nisi si protestë studentore, një formë legjitime e shprehjes së pakënaqësisë në çdo shoqëri demokratike, është shndërruar në arenë ringjalljeje të ideologjive nacionaliste në Serbi. Në vend të kërkesave sociale apo përmirësimeve në sistemin arsimor, në skenë kanë dalë sërish fjalët e vjetra: komb, gjak, tokë. Një rrëshqitje e menjëhershme nga e drejta qytetare në nacionalizëm të papërmbajtur, që në mënyrë shqetësuese rikujton vitet e errëta të fundviteve ’80 dhe fillimit të të ’90-ave.

“Ka ndodhur një radikalizim i djathtë, një riaktivizim i të gjitha ideologjive nacionaliste, një kthim te programi i vjetër i bashkimit gjithëserb – sikur jemi sërish në vitin 1989”, shkruan një autor serb, duke evidentuar një kthesë politike e kulturore që do të duhej të frikësonte jo vetëm rajonin, por edhe vetë qytetarët serbë që e kanë përjetuar tmerrin që sjell një diskurs i tillë.

Kjo nuk është thjesht një shprehje metaforike. Viti 1989 është simbol i një momenti historik, kur Slobodan Milosheviq, në Gazimestan, artikuloi një program nacionalist që më pas u shndërrua në një makth për të gjithë Ballkanin. Në emër të bashkimit serb u vranë mijëra njerëz, u përzunë miliona nga shtëpitë e tyre dhe u destabilizua i gjithë rajoni. Nëse protestat e fundit studentore po bëhen terren për këto ideologji, atëherë Serbia gjendet përballë një rikthimi që nuk ka të bëjë më me nostalgji historike, por me ambicie aktuale politike.

Publicist Tomislav Markoviq shkroi së fundi se, do të ishte më mirë që nacionalistët t’iu tregojnë studentëve, të cilët po protestojnë tash shtatë muaj, diçka rreth arsyes pse Kosova “iku” nga Serbia, diçka rreth shtypjes së shqiptarëve, rreth masakrave dhe dëbimeve masive, rreth frigoriferëve me kufoma dhe varrezave masive.

Nacionalizmi serb i viteve ’90 u ushqye nga frika, miti dhe manipulimi i historisë. Sot, ai po ringjallet në një formë që përpiqet të kombinojë teknologjinë moderne me narrativat arkaike. E djathta radikale në Serbi ka gjetur rrugën për të futur këto ide në mendjet e gjeneratave të reja, që nuk e mbajnë mend luftën, por janë të etur për identitet dhe drejtim në një shoqëri të zhytur në pasiguri ekonomike e politike.

* * *

Shqetësimi për këtë ringjallje nacionaliste nuk duhet të jetë vetëm i brendshëm, por edhe rajonal. Kur në Serbi rikthehen në skenë idetë e bashkimit të të gjithë serbëve në një shtet të vetëm, kjo nënkupton drejtpërdrejt ndërhyrje në sovranitetin e shteteve të tjera, përfshirë Kosovën, Bosnjën dhe Malin e Zi. Ideja e “botës serbe” nuk është e ndryshme nga koncepti i “Serbisë së Madhe” që shkaktoi shkatërrim të papërshkrueshëm. Në thelb, është njësoj: ndërtimi i një identiteti kolektiv bazuar në përjashtimin e tjetrit dhe zgjerimin territorial.

Kjo është arsyeja pse protestat, të cilat do të duhej të ishin frymë e re demokratike, po shndërrohen në platformë për të njëjtat forca që e sollën Ballkanin buzë katastrofës. Duke përdorur petkun e studentit dhe retorikën e viktimës, nacionalistët e rinj po përpiqen të maskojnë mesazhe të rrezikshme si kërkesa legjitime politike. Por një shoqëri që ka kaluar nëpër krime lufte dhe gjenocid nuk mund t’i trajtojë këto fenomene me indiferencë.

Në këtë kontekst, nuk është e tepërt të kërkohet një reagim serioz nga vetë shoqëria serbe – nga akademikët, nga media, nga qytetarët që nuk duan të jenë peng i së kaluarës. Përndryshe, heshtja e tyre mund të interpretohet si miratim. Dhe për të gjithë të tjerët, që jetojmë në një rajon ende të “pambyllur” mirë, është jetike të mos i nënshtrohen iluzionit se gjithçka është stabilizuar.

Ballkani është i brishtë dhe historia na ka mësuar që mjafton një shkëndijë për të nxitur zjarrin. Ringjallja e ideologjive të vitit 1989 në vitin 2025 nuk është thjesht një ekces radikal, por është alarm. Duhet ndërhyrë tani, për të parandaluar atë çfarë mund të ndodhë më vonë. Përndryshe, e ardhmja mund të rikujtojë edhe një herë se çfarë ndodh kur historia nuk mësohet, por përsëritet.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti