Taksat e bizneseve nga Veriu janë themelet e shumë projekteve në Jug. Por Veriu vetë ka mbetur në statikun e moszhvillimit. Në pamje të parë, suksesi i tyre mund të duket sikur tregon se nuk ka pasur diskriminim për zonën. Por kjo nuk është ashtu. Nuk është vetëm çështje perceptimi. Është çështje harrese.
Ky është momenti që nuk kërkon më diskutim. Kërkon vetëm vendim. Shqipëria nuk mund të jetë e plotë pa rrugën Milot–Shkodër të ndërtuar si autostradë. Dhe nuk mund të jetë e drejtë pa një tunel që lidh fshatrat e Veriut me Rrugën e Kombit, që i hap asaj treve derën për në zhvillim, jo thjesht rrugën për në ikje.
Nëse kjo qeveri e re nuk e bën, le ta dijë se nuk është më çështje ndihme. Është çështje shlyerjeje. Dhe nëse Rilindja e fitoi Jugun, atëherë koha është që ta kërkojë edhe Veriun, jo me fjalë, por me asfalt.
Postscriptum
E di që Shqipëria e vitit të demokracisë ka qenë më shumë se njëqind vite prapa vendeve të tjera evropiane. Dhe nuk ka dyshim që ka bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm. Sot, shumë gjëra janë më mirë. Infrastruktura, qasja në teknologji, turizmi, qendrat urbane — janë bërë hapa që askush nuk i mohon.
Por sërish, nuk mjaftojnë. Sepse njerëzit nuk ikin vetëm nga mungesa e bukës. Ikin nga mungesa e cilësisë. Na duhet të investojmë thellë në arsim dhe shëndetësi, sepse aty matet besimi që një shtet i jep qytetarit të vet. Dhe aty është plagë.
Por mbi të gjitha, na duhet që një pjesë e Shqipërisë të arrijë Shqipërinë tjetër. Të mos ketë më një vend që jeton në vitin 2025 dhe një tjetër që ndodhet ende në vitin 1990. Sepse po kështu ka qenë ndarja që ndjenim ne, kur krahasoheshim me Evropën në fillim të demokracisë: ndiheshim si jashtë kohe.
Sot, nuk është më Evropa që na turpëron. Është pjesa tjetër e Shqipërisë. Dhe kjo nuk është më çështje krahasimi. Është thirrje për drejtësi.