Noizy arrestohet në Cyrih – kërkohej nga Prokuroria për Krime të Rënda

Reperi i njohur shqiptar, Noizy, është arrestuar në Aeroportin e Cyrihut sapo ka hyrë në Zvicër, sipas raportimeve të mediave shqiptare. 38-vjeçari kishte udhëtuar për të prezantuar albumin e tij të ri. Por në vend të performancës, artisti përfundoi në prangat e policisë zvicerane.
Lajmi u konfirmua zyrtarisht për median zvicerane Watson nga Policia Kantonale e Cyrihut, e cila bëri të ditur se arrestimi u krye me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda.
“Policia kantonale e Cyrihut konfirmon arrestimin, sipas kërkesës së Watson. Arrestimi është bërë me urdhër të Prokurorisë për Krime të Rënda,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Menjëherë pas ndalimit, klubi ka hequr nga rrjetet sociale të gjitha njoftimet për koncertin e planifikuar, pa bërë një koment publik mbi situatën.
Kjo nuk është hera e parë që Noizy përballet me drejtësinë. Në gusht të vitit të kaluar, ai u arrestua pasi dyshohej për përfshirje në një përleshje në një klub nate. Ai u la i lirë me kusht disa ditë më vonë dhe në nëntor u gjobit për të njëjtën çështje.
Ndërsa autoritetet zvicerane nuk kanë dhënë detaje të tjera për rastin, pritet që ditët në vijim të hedhin më shumë dritë mbi akuzat që rëndojnë ndaj reperit. Arrestimi i tij vjen në një kohë kur ai ishte në mesin e një fushate promovimi të albumit të ri – një kthesë dramatike për një nga emrat më të njohur të skenës muzikore shqiptare, shkruan AP, transmeton Periskopi