Krahasimi i Netanyahut me Millosheviqin është falsifikim i historisë

Krahasimi i Netanyahut me Millosheviqin është falsifikim i historisë

Nga: Afrim Haliti

Nuk e kam fare hallin tek lajkat. Dhe e them qëndrimin tim qoftë edhe nëse e pëlqejnë aktualisht vetëm dy persona, apo hiç fare.

Por besoj se në një moment kur fotografitë nga Gaza po tronditin ndërgjegjen e botës, në një moment kur ndjenja shpesh tejkalon arsyen, po bëhet një krahasim që është jo vetëm i gabuar por edhe totalisht i paarsyeshëm: krahasimi midis Benjamin Netanyahut dhe Sllobodan Milosheviqit. Ky krahasim është jo vetëm i gabuar por për ne shqiptarët që kemi përjetuar terrorin e Milosheviqit nga afër është falsifikim i historisë. Ky nuk është justifikim por përkundrazi relativizim brutal i një regjimi gjenocidal që filloi katër luftëra pa u sulmuar nga askush.

Milosheviqi nuk ishte lider i përfshirë në një konflikt të ndërlikuar territorial. Ai ishte ideologu i një projekti të spastrimit etnik nëpërmjet të cilit sulmoi fillimisht sllovenët, kroatët e më pas boshnjakët, pastaj neve shqiptarëve pa u provokuar, pa u sulmuar dhe pa u kërcënuar nga askush. Serbia e Milosheviqit nuk u pushtua kurrë nga asnjë nga shtetet e reja që dolën nga ish-Jugosllavia. Serbia vendosi të ishte vetë agresore.

Shqiptarët e Kosovës nuk hodhën asnjëherë raketa mbi Beogradin, nuk vranë gra dhe fëmijë në Kragujevc, nuk dogjën kisha, nuk bënë thirrje për shfarosjen e popullit serb. Tutje, pas gjithçkaje që përjetuan: shekuj persekutimi, përndjekje, vrasje masive, sulme seksuale, dëbime masive, shqiptarët edhe atëherë donin dhe vazhdojnë të duan të jenë fqinjë të mirë dhe vetëm kaq. Shqiptarët kërkonin atëherë dhe vazhdojnë të kërkojnë paqe dhe integrim në Evropë. Kroacia, Bosnja dhe Kosova nuk e dëshiruan kurrë shkatërrimin dhe shfarosjen e Serbisë. Përkundrazi, ata kanë kërkuar njohje, respekt dhe bashkëpunim.

Kjo nuk është e njejta tek konflikti izraelito-palestinez. Të ashtuquajturit “përfaqësues politik” të palestinezëve, përfshirë përfaqësuesit e Hamasit nuk kërkojnë shtet, paqe apo barazi. Ata kërkojnë zhdukjen e shtetit të Izraelit nga harta. Thirrja “nga lumi deri te deti, Palestina do të jetë e lirë” nuk është thirrje për barazi por është kërcënim për të fshirë një shtet të tërë nga harta. Dhe nëse ka ndonjë dyshim për këtë secili mund të reflektojë mbi një fakt të theksuar historik: Jordania ishte gjithashtu pjesë e mandatit britanik të Palestinës. Megjithatë, askush nuk nxit përpjekje për çlirimin e Jordanisë. Pse? Sepse çështja nuk është historia apo kufijtë, por realiteti i vetë ekzistencës së Izraelit dhe popullit hebre.

Krahasimi me Milosheviqin nuk është vetëm analitikisht i gabuar. Ai zbardh krimet e një regjimi gjenocidal dhe kthen historinë në një pazar emocional ku çdo njeri shkruan çfarëdo që i përshtatet më mirë. Ky krahasim i pozicionon krimet e kryera nga serbët kundër shqiptarëve si një “delikt i parëndësishëm” në raport me ngjarjet në Gaza. Dhe, është fyerje për viktimat e Reçakut, Mejës, Krushës, Drenicës dhe qindra fshatrave të tjerë të fshirë nga harta nga ushtria dhe paramilitarët serbë.

Kjo nuk do të thotë se politika e Netanyahut nuk duhet kritikuar. Asnjë vend, madje as Izraeli, nuk është mbi ligjin ndërkombëtar. Viktimat civile janë plagë e përbashkët në çdo vend. Por kritika nuk duhet të kërkojë krahasime që shtrembërojnë të vërtetën. Për më tepër, këto krahasime po bëhen ngadalë thirrje bashkëkohore për antisemitizem.

Ky është antisemitizëm i rafinuar, i veshur në petkun e të drejtave të njeriut, por që vokal bëhet vetëm në mënyrë selektive kur agresori ndodh të jetë hebre, por jo edhe kur ai është musliman, arab, persian apo turk. E kotë është të relativizohet ky problem sepse heshtja ndaj vrasjeve të muslimanëve tjerë është e zhurmshme sepse në sytë e këtyre kritikëve, vuajtja muslimane është e padukshme, përveçse aty ku mund të instrumentalizohet për të sulmuar Izraelin dhe hebrenjtë. Ky standard i dyfishtë nuk është drejtësi ose empati. Është hipokrizi morale dhe ideologjike. Nëse një viktimë vlen më shumë se tjetra në bazë të kombësisë së sulmuesit, ne nuk jemi më avokatë dhe promovues të të drejtave të njeriut por avokatë të propagandës së zgjedhur.

Nëse me të vërtetë jemi të shqetësuar për drejtësinë e palestinezëve, dhe kjo është një çështje legjitime që meriton të trajtohet ndershmërisht, atëherë nuk duhet të jemi më pak të ndjeshëm për çdo viktimë të tillë diku tjetër. Dhe këtë nuk duhet ta bëjmë duke ofenduar viktimat e gjenocideve tjera si ai në Kosovë.

Nuk jam i sigurt kush përfiton nga krahasimet që relativizojnë krimet e Milosheviqit. Ato nuk bëjnë asgjë për të ndihmuar palestinezët, izraelitët apo shqiptarët. Ato janë vetëm receta të mëtejshme për urrejtje, për njollosjen e kujtimit të së kaluarës, dhe për ndarjen e botës në miq dhe armiq në bazë të një ideologjie e jo të një qenieje njerëzore.

Historia kërkon kujdes e drejtësia kërkon barazi. Pa to, rrezikojmë të zëvendësojmë të vërtetën me zemërim dhe dhembshurinë me urrejtje selektive.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti