Dhe këto janë vetëm disa nga shumë gjërat që kanë ndodhur e që po ndodhin, gjithnjë në frymën e një aleance të sinqertë mes dy popujve dhe vendeve tona. Thënë këtë, nuk u ndjeva aspak mirë kur e lexova reagimin tuaj kundër Presidentes Osmani, e sidomos fjalët që i kishit zgjedhur.
Veprimet agresive të Serbisë janë kërcënim serioz për Kosovën dhe për paqen në rajon. Sa i përket kësaj çështjeje, përkundër dallimeve të brendshme, ka një pajtim të plotë në mes të të gjithë akterëve të spektrit të gjerë politik në Kosovë. Dhe, pavarësisht mohimeve nga Beogradi, rreziku nga Serbia është dhe vazhdon të jetë real.
“Ne bëmë një punë të mirë me Indinë dhe Pakistanin, gjithashtu me Serbinë dhe Kosovën, Ruandën dhe Kongon. Dhe e gjithë kjo ndodhi gjatë tre javëve të fundit a më shumë, apo jo Marco?”, këto janë fjalët e sakta të Presidentit Trump, të thëna para pak ditësh në Shtëpinë e Bardhë. Ne në Kosovë, përfshirë edhe ne qytetarëve të thjeshtë, jemi të prirë t’u besojmë deklarimeve të një Presidenti amerikan, aq më tepër të një Presidenti energjik, të kthjellët, e të qartë në artikulim e synime, çfarë është Presidenti Trump.
Nuk dua aspak të merrem me faktin që tezat tuaja janë identike me ato që disa orë më herët ka prezantuar Marko Djuric, sado që kjo gjë më shqetëson. Nuk besoj që Marko Djuric, apo cilido zyrtar serb, ka të drejtë kur pohon që nuk është fjala një zhvillim të tre javëve të fundit (diçka që si duket e dinë mirë Presidenti Trump dhe Sekretari Rubio), por qenka fjala për diçka të vjetër të para 5 viteve. Po ashtu nuk besoj që ju jeni duke implikuar që Presidenti Trump nuk është mjaftueshëm i kthjellët dhe i ngatërron gjërat, kohën dhe ngjarjet. Të mos harrojmë që po flasim për Presidentin Trump, dhe jo për Presidentin Biden!
E respektoj plotësisht raportin tuaj me miqtë që keni në Beograd si dhe me komunitetin serb në SHBA, por nuk duhet të harroni që komuniteti shqiptar në SHBA, i shtrirë në shtetet vendimtare (ato që ju i quani “swing states”), ishte unik dhe besnik duke e përmbushur pikë për pikë premtimin e vet elektoral ndaj Presidentit Trump. Ju e dini shumë mirë rolin dhe kontributin e tyre në zgjedhjet e fundit.
Zonja Vjosa Osmani është Presidente e Republikës së Kosovës, shtetit më pro-amerikan në botë. Pavarësisht kontekstit, si udhëheqëse e një shteti aleat të dëshmuar të SHBA-së, Presidentja Osmani meriton së paku respekt dhe kortezi minimale.
Në mos për asgjë tjetër, atëherë për hir të angazhimit të sinqertë të komunitetit shqiptar në SHBA, të cilët juve personalisht ju kanë pritur krahëhapur, kur publikisht u drejtoheni udhëheqësve të shtetit të Kosovës, duhet të tregoni sado pak kujdes.
Sinqerisht,
Kadri Kryeziu
ish nënkryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës.