Studiuesit zbulojnë ndryshime të rëndësishme në tru që lidhen me psikopatinë

Personat me sjellje antisociale kanë ndryshime në disa zona të trurit që ndikojnë në emocionet dhe sjelljen.
Një studim i ri sjell njohuri të reja mbi ndryshimet strukturore në tru që lidhen me psikopatinë — një gjendje që zakonisht shoqërohet me sjellje kronike antisociale dhe të dhunshme.
Një ekip ndërkombëtar kërkimor, nga institucione të njohura në Gjermani dhe SHBA, ka përdorur teknika të avancuara neuro-imazherie në kombinim me Atlasi Julich të Trurit për të analizuar se cilat rajone të trurit ndryshojnë në njerëzit me tipare psikopatike, shkruan SciTechDaily.
Në këtë studim u përfshinë 39 burra të diagnostikuar me psikopati, të cilët u krahasuan me një grup kontrolli të ngjashëm për nga mosha dhe karakteristikat e tjera. Studiuesit përdorën Listën e Kontrollit të Psikopatisë (PCL-R), një instrument i njohur që ndan tiparet psikopatike në dy kategori kryesore: Tiparet ndërpersonale dhe afektive (si mungesa e empatisë dhe gënjeshtra patologjike) dhe sjelljen antisociale dhe stilin e jetës devijues, transmeton AP, përcjell Periskopi.
Rezultatet treguan se pjesëmarrësit me shenja më të forta të sjelljes antisociale kishin një volum të reduktuar në zona të ndryshme të trurit, duke përfshirë struktura subkortikale si ganglionet bazale, talamusin dhe zonën bazale të trurit, si dhe pjesë të trurit të mesëm, cerebellin dhe rajone të korteksit orbitofrontal dhe insular. Këto pjesë janë të përfshira në funksione të rëndësishme si rregullimi emocional, kontrolli i impulseve, vendimmarrja dhe sjellja sociale.
Ndërkaq, lidhjet mes tipareve ndërpersonale të psikopatisë dhe ndryshimeve në tru ishin më të dobëta dhe më të ndryshueshme nga personi në person. Disa ndryshime u vunë re në korteksin orbitofrontal, frontalin dorsolateral dhe në hipokampusin e majtë, por pa një model të qartë dhe të përbashkët.
Studimi zbuloi gjithashtu një reduktim të përgjithshëm të volumit të trurit tek personat me psikopati, me ndryshime të veçanta në subikulumin e djathtë, një pjesë e hipokampusit që luan një rol kyç në proceset e kujtesës.
Autorët e studimit theksojnë se këto gjetje japin prova të forta për një lidhje neurobiologjike midis sjelljes antisociale dhe ndryshimeve strukturore në trurin e njeriut.