Pas skandalit në koncertin e Coldplay, Sunny Hill Festival paralajmëron “Kiss Cam”: Kujdes kë merrni me vete

Pas skandalit në koncertin e Coldplay, Sunny Hill Festival paralajmëron “Kiss Cam”: Kujdes kë merrni me vete

Një moment i sikletshëm në koncertin e Coldplay që u kthye në një nga videot më virale të javës, duket se ka frymëzuar edhe festivalin më të madh muzikor në Kosovë, Sunny Hill Festival.

Organizatorët kanë njoftuar se në edicionin e sivjetmë të festivalit do të jetë pjesë edhe elementi i njohur ndërkombëtar – “Kiss Cam”.

E gjitha nisi me një incident që ndodhi në koncertin e Coldplay në Boston, ku kamera e drejtuar te publiku fokusoi Andy Byron, CEO i kompanisë teknologjike “Astronomer”, teksa ndodhej në një moment të afërt me Kristin Cabot, shefen e burimeve njerëzore të së njëjtës kompani.

Videoja u shfaq në ekranin gjigant të koncertit dhe u transmetua live për mijëra të pranishëm – e më pas shpërtheu në rrjetet sociale.

Çështja mori përmasa edhe më të mëdha kur u zbulua se Byron është i martuar dhe baba i disa fëmijëve, të cilët ndodheshin në shtëpi në atë kohë. Komenti me humor i vokalistit të Coldplay, Chris Martin, e bëri momentin edhe më të ndjeshëm: “Shikoni këta të dy… Oh, ose kanë një aferë, ose janë thjesht shumë të turpshëm”, tha ai nga skena, raporton Telegrafi, transmeton Periskopi.

Në kulmin e këtij debati, Sunny Hill Festival publikoi një postim në Instagram, duke paralajmëruar se Kiss Cam do të jetë pjesë e festivalit që mbahet nga 1 deri më 3 gusht 2025 në Prishtinë.

Me mbishkrimin provokues: “KUJDES!!! Kiss Cam po vjen në Sunny Hill këtë vit”, dhe përshkrimin e lezetshëm në foto: “Kujtesë miqësore: zgjidhni +1 tuaj me mençuri”, organizatorët duket se po e marrin me humor trendin e krijuar dhe po e kthejnë në një element festiv.

“Kiss Cam” është i njohur për krijimin e momenteve të papritura e shpesh gazmore në ngjarje sportive dhe koncerte në gjithë botën, por pas këtij incidenti, është bërë edhe më i komentuar./Periskopi

Thyen heshtjen CEO që u kap mat me kolegen në koncert

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti