E bëri shqiponjën me duar, Shkëlzen Goqi diskualifikohet nga gara e kërcimit nga ura në Mal të Zi
Garuesi nga Kosova, Shkëlzen Goqi, është diskualifikuar nga gara e kërcimit nga ura, që është mbajtur dje në “Urën e Vezirit” në Podgoricë të Malit të Zi.
Arsye për këtë diskualifikim thuhet të jetë gjesti simbolik i shqiponjës, që është interpretuar si provokues nga organizatorët dhe një pjesë e publikut.
Goqi, i njohur në Kosovë për kërcimet nga lartësia dhe me origjinë nga Gjakova, kishte bërë simbolin e shqiponjës dykrenare para kërcimit të tij, një gjest i zakonshëm mes sportistëve shqiptarë për të shprehur identitetin kombëtar.
Sipas asaj që raportojnë mediumet malazeze, ky veprim u shoqërua me fishkëllima nga publiku, ndërsa më pas juria vendosi diskualifikimin e tij, pasi organizatorët e kanë konsideruar këtë gjest si “shkelje të rregullave të manifestimit”.