Vendimet e fundit të Supremes, Qelaj: Moszbatimi i vendimeve gjyqësore është vepër penale

Naim Qelaj tha se Avokati i Popullit asnjëherë nuk lëshohet në diskutim lidhur me përmbajtjen meritore të asaj se çfarë përmbajnë vendimet gjyqësore sepse duhet respektuar ndarja e pushteteve.
Këtë deklarim, ai e bëri kur u pyet për tri vendimet e fundit të Gjykatës Supreme- lidhur me Rregulloren e Komisionit të Pavarur të Mediave, për Rregulloren e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe atë për Udhëzimin Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë.
Supremja së fundi ka shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar ndryshimin e Rregullores së Punës së KPM-së. Shkalla e tretë, me një vendim tjetër, njëjtë veproi edhe me Rregulloren për Ndryshimin dhe Plotësimin e Rregullores mbi Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës në Autoritetin e Aviacionit Civil të Republikës së Kosovës, duke konstatuar se çdo akt juridik i nxjerrë nga një udhëheqës në cilësinë e ushtruesit të detyrës pas skadimit të afatit prej një viti është i pavlefshëm.
Ndërkaq, vendimi i tretë ka të bëjë me shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, duke konstatuar se ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe ministrit në të njëjtën kohë, është i ndaluar. Rrjedhimisht, edhe nxjerrja e UA është e kundërligjshme, përcjell betimi për drejtësi.
“Ma shumë e shoh si punë e gjyqësorit që i takon në vendimmarrje dhe guxim profesional për me vendos për çështje që mund të kenë edhe efekte, ose mund të kenë edhe zëra kundër dhe zëra kritikë. Vitet e fundit kemi pas një gjuhë të vazhdueshme kërcënuese në raport me insitucionet e pavarura dhe sistemet ndara të pushtetit dhe në raport me Prokurorin e Shtetit, në raport me gjyqësorin edhe me Gjykatën Kushtetuese, edhe me institucione të tjera të pavarura, dorën në zemër edhe me Komisionin e Pavarur të Mediave. Ne e dimë tendencën e thirrjes në raportim të përditshëm të kryetarit të Komisionit, i cili në fund të fundit është një autoritet kushtetues, pra ishte Komision i pavarur kushtetues i vendit”, tha Qelaj.
Sipas Qelajt, duhet mësuar me mendimet pro dhe kundër, por vendimet duhet zbatuar.
“Në demokraci duhet me u mësu me reagimet pro e kundër, përderisa vendimet zbatohen. Unë konsideroj se këtu matet niveli i demokracisë jo në gjuhën që përdoret edhe pse mund të mos jetë e pranueshme, edhe mund të shkaktojë polarizim të skajshëm në mes të qëndrimeve, opinionit publik, mund të shkaktojë edhe huti te qytetarët, shpesh edhe reaksion që mund të jetë i papërshtatshëm”, deklaroi Qelaj.
Përderisa mbesin në nivel të deklaratave publike të krijimit të opinionit, Qelaj tha se dekaratat e tilla mund të konsiderohen si kërcënim, por jo si ndërhyrje, sepse ka mekanizma që i mbrojnë autoritetet në punën e tyre.
“Për shembull, gjyqtarët kanë imunitet, ata janë të pacenueshëm në vendimmarrje, përveç nëse konstatohet se një vendim i tyre është i kundërligjshëm”, tha Qelaj.
Sipas tij, moszbatimi i vendimeve gjyqësore përbën veprim arbitrar dhe sjell pasoja të rënda për shtetin e së drejtës.
“Nëse vendimi i gjykatës nuk zbatohet, futemi në një dimension tjetër, në shkelje që nuk përputhen me vlerat demokratike. Moszbatimi i vendimeve është vepër penale, është inkriminuese”, deklaroi Qelaj.
Ai reagoi edhe ndaj deklaratave të disa ministrave që kanë thënë se do të vazhdojnë funksionin edhe si deputetë, duke e cilësuar këtë sjellje si tejkalim të kompetencave dhe shkelje të mandatit. Avokati i Popullit tha se demokracia cenohet kur kontestohet zbatimi i atyre vendimeve.
“Nëse nuk zbatohet vendimi i Gjykatës Supreme, atëherë kemi një situatë të qartë të cenimit të sundimit të ligjit. Ekzekutimi është detyrim”, përfundoi Avokati i Popullit./Periskopi/