Publikohen 240 mijë faqe dokumente për vrasjen e Martin Luther King

Mijëra faqe dokumentesh të FBI-së në lidhje me vrasjen e Martin Luther King, janë publikuar ani pse ka kundërshtuar familja e tij.
Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar më shumë se 240 mijë faqe që kishin të bëjnë me mbikëqyrjen e agjencisë së inteligjencës ndaj laureatit të çmimit Nobel pak para vrasjes së tij në vitin 1968, raporton BBC, transmeton Periskopi.
Dokumentet po ruheshin nga një vendim i gjykatës që prej vitit 1977, kur FBI-ja mblodhi krejt detajet dhe i dorëzoi në Administratën e Arkivave Kombëtare.
Dokumentet janë publikuar teksa Trumpi po bën përpjekje të qetësojë përkrahësit e tij në lidhje me menaxhimin e të dhënave për pedofilin e njohur Jeffrey Epstein.
Në javët e fundit miqësia e Trumpit me Epstein ka qenë nën kritika të mëdha.
Ndërkaq, familja e King, përfshirë dy fëmijët e tij, Martin III dhe Bernice, i kanë kontrolluar të gjitha dokumentet para publikimit.
Trumpi si kandidat për president kishte premtuar publikimin e dokumenteve në lidhje me vrasjen e John F Kennedyt në vitin 1963. Ai në janarin e vitit 2025 ka deklasifikuar krejt dokumentet, përfshirë edhe ato që kishin të bënin me vrasjen e Robert F Kennedyt dhe Kingut.
Historianët dhe gazetarët janë bërë gati tashmë për të studiuar dhe analizuar informacionet e reja rreth vrasjes së aktivistit të njohur për të drejtat e njeriut.
Familja e Kingut ka argumentuar se FBI-ja ilegalisht e ka mbikëqyrur Kingun dhe aktivistë të tjerë, duke vendosur përgjues nëpër telefona.
J Edgar Hoover, atëherë drejtor i FBI-së, ishte i interesuar për Kingun dhe të tjerët që i konsideronte si radikalë.
Edhe më parë është konfirmuar se Hoover kishte lejuar përgjimin e telefonit të King dhe dhomave të hotelit ku ka qëndruar.
James Earl Ray ishte deklaruar fajtor për vrasjen e King. Ai më vonë e tërhoqi deklaratën dhe u shpreh i pafajshëm deri në vdekjen e tij në vitin 1998. /