“Lufta” për të drejtën e rrugës, protestojnë banorët e fshatit Prugoc dhe Barilevë

Banorët e fshatit Prugoc dhe Barilevë në rrugën “Dul Dragusha”, kanë protestuar sot në shenjë pakënaqësie për një rrethrrotullim që ishte i planifikuar nga Ministria e Infrastrukturës në detyrë, për të cilin u tha se nuk do të realizohet.
Sipas banorëve të fshatit, ky rrethrrotullim është larguar për 300 metra, pasi kanë ndikuar disa individë të partisë në pushtet që të realizohet për dy lagje të tjera.
Ata janë ankuar se me mosrealizimin e këtij rrethrrotullimi, banorët dhe prindërit, për t’i dërguar nxënësit në shkolla, duhet të vazhdojnë edhe 8 kilometra tutje për t’u kthyer.
Kryetari i bashkësisë lokale, Osman Dragusha, tha se ky projekt ishte buxhetuar nga Ministria e Infrastrukturës në detyrë dhe është anuluar për interesa grupore.
Dragusha tha se përveç kësaj ankese, kanë kundërshtuar edhe projektin që ka filluar të realizohet mbi varreza disa vjeçare.
Ai u shpreh se përgjegjësia për dy ankesat e banorëve do të mbetet mbi ministrin e Infrastrukturës në detyrë, Hysen Durmishi.
Dragusha tha se nëse është nevoja, do të dorëzojnë edhe padi ndaj ministrisë.
Ndërsa organizatori i protestës, Nuhi Dragusha, ka shtuar se do të protestojnë deri në momentin që t’u plotësohen të drejtat banorëve të fshatrave përreth.
Ai paralajmëroi protesta edhe para objektit të Ministrisë së Infrastrukturës.
“Kemi marrë vesh pasi që kanë dalë bagerët në vendin e ngjarjes, ku është kthesa për Besi dhe Rimunishtë. Këtu është kthesa për Barilevë dhe Drenoc që lidhet. Në këtë rrethrrotullim lidhen vetëm dy fshatra dhe e kanë bërë vetëm për Besinë. Kjo pjesë këtu është mbi varreza, gjë që nuk e lejojmë. Këto gjëra nuk i lejojmë, sepse janë vetëm për dy fshatra. Ne do të protestojmë pa ndalur derisa të shohim si do të rrjedhin gjërat. Ne nuk jemi kundër asnjë rrethi në asnjë vend, por kundër cenimit të varrezave. Protestat do të vazhdojnë edhe para ministrisë dhe këtu. Kjo është e bërë nga ministria dhe jemi në gjendje të bëjmë gjithçka që të realizohen të drejtat tona”, tha ai.
Në vendin e ngjarjes ishin të pranishëm edhe njësitë e Policisë së Kosovës. /KP/Periskopi/
