Kosova pa rrymë, pritet shtrenjtim i ri

Sistemi Elektro Energjetik i Kosovës bëri të ditur se po vazhdon të përballet me mbi ngarkesë të rrjetit energjetik, për çka ftoi qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike. Sipas KOSTT-it, zonat më në rrezik për reduktime janë Rahoveci, Malisheva, Prizreni, Dragashi, Gjilani dhe Lipjani, komuna këto të cilat të dielën u ballafaquan me ndërprerje të paparalajmëruar të energjisë elektrike. Me një kërkesë për kursim të energjisë elektrike gjatë ditës doli edhe KESCO të cilët ftuan qytetarët, që veçanërisht gjatë orëve të pikut, të shmangin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë. Qytetarët thonë se po pranojnë fatura të papërballueshme për ekonomitë e tyre.
“Po çfarë përballumi, këta nuk janë normal….”, tha një qytetar për rtv21
“Reduktime po ka faturat janë të papërballueshme çka me ba”, u shpreh një qytetar tjetër.
“Reduktime ka, boll me zahmet po ja dalim, çka me ba…”, deklaroi një tjetër qytetar.
Sipas të dhënave zyrtare aktualisht Kosova prodhon rreth 900 megavat energji elektrike. Ndërkohë, konsumi në orë të caktuara të ditës mbërrin në mbi 1400 megavat duke rritet nevojën e importimit të energjisë. Të dielën nga sistemi ra blloku B1 i Termocentralit të Kosovës por i njëjti u bë me dije se ka rifilluar punën. Njohësi i çështjeve të energjisë Adhurim Haxhimusa, thotë se sa herë që bien blloqet nga sistemi mund të flitet për keq menaxhim të sistemit energjetik. Haxhimusa ngriti alarmin se tarifat e energjisë elektrike do të vazhdojnë të shtrenjtohen.
“Derisa kemi këtë trend të menaxhimit apo keqmenaxhimit tarifat kanë me u rritë çdo herë dhe populli nuk ka me protestu asnjëherë, mendoj se populli duhet të ngritët të thotë mirë rriteni tarifat por modernizojeni rrjetin. Jo të rriten tarifat që t’i financojmë burimet jashtë kufijve të Kosovës sepse ky është problemi që ka ndodhur në 5 vitet e fundit qeverisës të LVV-së…”, tha Haxhimusa për rtv21.
Në muajin tetor u shënua një rritje e konsumit të energjisë elektrike për 17 %, duke pasuar me një rritje të importit të energjisë elektrike për 19 për qind më shumë se sa vitin paraprak. Prodhimi i Kosovës u zvogëlua. Në periudhën e viteve 2015-2020 Kosova ka importuar energji elektrike në vlerë prej rreth 270 milionë euro ndërkohë që nga viti 2020 deri në vitin 2025 vlera e importit të energjisë elektrike ka tejkaluar 800 milionë euro. Importi dhe kostoja e lartë e transportit të energjisë elektrike, që arriti në 800 euro, u përcoll me përplasje mes LVV-së dhe partive ish-opozitare. Këto të fundit akuzuan qeverinë e udhëhequr nga LVV se ka licencuar një kompani serbe për të operuar në Kosovë. Në këtë situatë njohësi i çështjeve të energjisë, Adhurim Haxhimusa, tha se keqpërdorimet në energji kanë arritur majat me qeverisjen Kurti.
“Çështja e mafias është bë tashmë e ditur se e hapur sepse po flasim haptazi, dhe shihet edhe kostoja e transportit që ka kushtu për një megavat që vërehen keqpërdorime. Por, mendoj që të gjitha partitë politike në Kosovë janë të përfshira por kapakun kësaj pune ia vendosi LVV gjatë qeverisjes së saj…”, theksoi Haxhimusa.
Aktualisht konsumatorët që shpenzojnë energji elektrike deri në 800 kilovat brenda një muaji paguajnë 9.05 centë për kilovat nga 7.79 centë sa ishte vitin e kaluar. Ndërkohë, ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë brenda një muaji, paguajnë 15.43 centë për kilovat nga 13.29 centë sa ishte vitin e kaluar. ZRRE ka konfirmuar se në muajin dhjetor do të nisë shqyrtimi i tarifave energjetike, megjithatë, nuk ka konfirmuar se kur do të shtrenjtohet energjia elektrike. Energjia elektrike në 2025 u shtrenjtua në prill ngjashëm besohet se do të ndodhë edhe në vitin 2026/Periskopi/
