Xhaka e “mbron” Alonson, flet për kohën te Leverkuseni

Xhaka e “mbron” Alonson, flet për kohën te Leverkuseni

Xabi Alonso po përballet me presion të madh te Real Madridi, pavarësisht se ka ardhur vetëm në verë nga Bayer Leverkusen.

Trajneri 44-vjeçar është shumë i respektuar te klubi i Bundesligës, të cilin e udhëhoqi drejt titullit të parë kampion në histori gjatë sezonit 2023-24.

Alonso do të kujtohet gjithmonë me simpati në Leverkusen, dhe një nga lojtarët që e mban mend shumë mirë është Granit Xhaka.

Mesfushori, i cili gjithashtu u largua në verë për t’iu bashkuar klubit të Premierligës, Sunderland, foli (përmes “Marca”-s) në kuadër të një dokumentari të publikuar së fundmi për trajnerin e Real Madridit, me titull “Arkitekti”: Nga miti te sfida.

“Ai nuk kishte përvojë në skenat e mëdha, kjo është e sigurt. Por ajo që kishte ishte personaliteti. Kur hynte në dhomën e zhveshjes dhe fillonte të fliste, të gjithë ishin plotësisht të përqendruar. Sepse e dëgjonin. Sepse çdo fjalë që thoshte ishte e vërtetë”, tha Xhaka fillimisht.

“Ai nuk kufizohej duke përsëritur fjalët e të tjerëve. Nuk ishte i rremë. Ishte autentik. Dhe mendoj se kur një lojtar ndjen se je autentik, nuk ka rëndësi nëse fiton apo humb. Ti vazhdon ta fitosh respektin e tyre. Të gjitha skuadrat kanë ego, sigurisht, por atij nuk i interesojnë emrat e mëdhenj. Dhe nuk i intereson sa ka kushtuar një transferim. Atij i intereson vetëm ajo që sheh në fushë. Ai do të të shohë duke luftuar. Dhe nëse stërvitesh mirë, do të të japë një shans. Kjo është ajo që e admiroj më shumë te Xabi”, u shpreh Xhaka.

Është interesante që Xhaka thekson se Alonso nuk shqetësohet për emrat e mëdhenj, pasi pikërisht kjo raportohet se është një nga problemet që ai ka hasur në “Bernabeu”.

Disa lojtarë me peshë në dhomën e zhveshjes nuk janë bindur ende nga trajneri i tyre, me egot që janë gjithmonë një faktor për t’u menaxhuar te Real Madridi./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti