Austria forcon ndalimin e sheriatit

Një ndryshim i ligjit pritet të prezantohet në kuadër të takimit qeveritar në janar. Koalicioni po ashtu po përgatit një strategji të përbashkët industriale.
Kancelari federal Christian Stocker nuk dëshiron të tolerojë zbatimin e sheriatit, rendit juridik islam, në Austri. Me një ndryshim të ligjit synohet të krijohet qartësi, transmeton Periskopi.
“Në kundërshtim me vlerat tona”
Zbatimi i sheriatit në Austri ka shkaktuar disa herë shqetësime dhe reagime në të kaluarën. Kancelari federal Christian Stocker e konsideron të nevojshme të dërgohet një sinjal i qartë në këtë drejtim, edhe pse në rastet konkrete nuk ka pasur kundërshtime me rendin juridik vendas. “Si politikan, nuk jam i gatshëm të pranoj që në Austri të ketë fuqi sheriati, një rend juridik për një shtet teokratik, i cili është në kundërshtim me vlerat tona, qoftë edhe vetëm në dispozita të veçanta”, kishte deklaruar Stocker në një intervistë për STANDARD. ÖVP ka njoftuar se synon t’i vendosë “përfundimisht fre” zbatimit të rregullave të sheriatit në Austri. Për fushatën e saj kundër myslimanëve, ÖVP ka marrë ditët e fundit kritika të ashpra, edhe nga partnerët e koalicionit, por megjithatë dëshiron t’i qëndrojë besnike linjës së saj.
