PZAP e hedh të palejuar kërkesën e Jakup Nurës që të numërohen të gjitha vendvotimet në Skenderaj

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ka publikuar vendimin e marrë ndaj ankesës së kandidatit për deputet të PDK-së, Jakup Nurës.
Sipas PZAP-së, kërkesa e tij për të numëruar të gjitha vendvotimet në Komunën e Skenderajt, për zgjedhjet e 28 dhjetorit është e palejuar.
Nura ka pretenduar për parregullësi në administrimin e numërimit ose regjistrimit të votave preferenciale brenda subjektit politik PDK, me thes të veçantë në vendvotimet e Komunës së Skenderajt, si dhe me kërkesë për rinumërim të plotë të fletëvotimeve në vendvotimet përkatëse, me qëllim të verifikimit të saktësisë së rezultateve dhe rikthimit të integritetit të procesit zgjedhor.
“Në ankesë theksohet se në zgjedhjet e fundit të përgjithshme në Republikën e Kosovës janë mbajtur më datë 28 dhjetor 025, dhe se para këtyre zgjedhjeve, zgjedhjet e përgjithshme janë mbajtur më datë 9 shkurt 2025, dhe brenda një periudhe jashtëzakonisht të shkurtër kohore ndërmjet dy proceseve zgjedhore, ankuesi ka vërejtur një rënie drastike të numrit të votave preferenciale në shumicën e vendvotimeve të Komunës së Skenderajt, rënie e cila në shumë raste tejkalon përgjysmimin e votave të tij krahasuar me zgjedhjet paraprake”, thuhet tek arsyetimi i vendimit t3ë PZAP-së.
Nura nuk ka arritur të zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës. Ai në këto zgjedhje ka marrë vetëm 20 mijë e 209 vota.

