Danimarka forcon praninë ushtarake, Von der Leyen: Groenlanda i përket popullit të saj dhe është pjesë e NATO-s

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Groenlanda i përket popullit të saj dhe se Bashkimi Evropian respekton plotësisht vullnetin e banorëve të ishullit autonom. Duke iu përgjigjur pyetjeve në një konferencë për shtyp, ajo theksoi se Groenlanda është pjesë e NATO-s dhe se Aleanca integron interesat e të gjithë aleatëve, teksa shtoi se BE-ja është në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë daneze për këtë çështje.
“Groenlanda i përket popullit të saj. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me qeverinë daneze për këtë dosje. Së dyti, Groenlanda është pjesë e NATO-s dhe ne e dimë që NATO integron interesat e ndryshme të aleatëve të saj. “Është e rëndësishme për mua që Groenlanda të dijë se ne e respektojmë vullnetin e popullit të saj”, tha presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.
Ndërkohë, Danimarka ka njoftuar se do të forcojë praninë e saj ushtarake në Groenlandë, pas kritikave të SHBA-së lidhur me investimet në mbrojtje. Ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, bëri të ditur se përforcimet përfshijnë personel dhe pajisje, si dhe një angazhim më të madh brenda NATO-s për ushtrime dhe prani më të fortë në Arktik.
“Ne do të vazhdojmë të forcojmë praninë tonë ushtarake në Grenlandë, por gjithashtu do të përqendrohemi më shumë brenda NATO-s në më shumë ushtrime dhe një prani më të fortë të NATO-s në Arktik”, tha ai.
Në të njëjtën linjë, Franca njoftoi se më 6 shkurt do të hapë një konsullatë në Groenlandë. Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noël Barrot, e cilësoi këtë si “një sinjal politik” që reflekton dëshirën për një prani më të fortë, përfshirë në fushën shkencore, duke theksuar se “Groenlanda nuk është në shitje”.
“Vendimi për të hapur një konsullatë u mor verën e kaluar me rastin e vizitës së Presidentit Emmanuel Macron, u kujtoi Jean-Noël Barrot dëgjuesve në radion RTL. “Unë vetë shkova atje në fund të gushtit për të hedhur themelet për këtë konsullatë, e cila do të hapet më 6 shkurt. Groenlanda nuk dëshiron të jetë në pronësi, e qeverisur, e mohuar ose e integruar nga Shtetet e Bashkuara. Groenlanda ka zgjedhur Danimarkën, NATO-n dhe Bashkimin Europian”, shtoi ai.
Mbështetje për Danimarkën shprehu edhe ministri i Jashtëm i Qipros, Constantinos Kombos, i cili theksoi solidaritetin e plotë të BE-së me Mbretërinë e Danimarkës dhe respektimin e vendimeve të saj sovrane.
Nga ana tjetër, Moska reagoi përmes zëdhënëses së Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e cila kritikoi BE-në se i kushton më shumë vëmendje Iranit, sesa Groenlandës, duke sugjeruar se situata në Iran po përdoret për të larguar vëmendjen nga zhvillimet në ishullin arktik.
