Rinumërimi i votave, Çohu: Dështim në administrimin e zgjedhjeve, u cenua vullneti i qytetarëve

Rinumërimi i votave, Çohu: Dështim në administrimin e zgjedhjeve, u cenua vullneti i qytetarëve

Organizata Çohu, reagoi pas vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për rinumërimin e 914 vendvotimeve nga zgjedhjet e 28 dhjetorit, duke e cilësuar këtë hap si tregues të problemeve serioze në administrimin e procesit zgjedhor.

Sipas Çohu, vendimi i KQZ-së ngrit shqetësime të mëdha për respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe kërkon qartësi të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse.

Organizata thekson se dyshimet për manipulime me vota dhe falsifikim të rezultateve zgjedhore, veçanërisht brenda subjekteve politike dhe mes kandidatëve, kanë qenë të pranishme ndër vite. Këto shqetësime janë forcuar edhe më shumë pasi nga verifikimi i votave të kandidatëve në vetëm 2 për qind të vendvotimeve janë gjetur mangësi serioze.

Çohu vlerësoi se votat e kandidatëve të numëruara në Qendrat Komunale të Numërimit nuk pasqyrojnë numrin real të votave të evidentuara në fletëvotime, çka sipas organizatës cenon drejtpërdrejt integritetin e procesit zgjedhor.

Në këtë kontekst, Çohu! ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të hapin menjëherë një hetim të pavarur dhe të plotë për çdo element të mundshëm të manipulimit apo mosrespektimit të vullnetit qytetar, duke theksuar se çdo dyshim duhet trajtuar me seriozitet maksimal dhe pa vonesa.

Organizata ngriti gjithashtu shqetësimin për pandëshkueshmërinë në rastet e manipulimeve zgjedhore. Sipas një hulumtimi të publikuar së fundmi nga Çohu!/Preportr, mbi 90 për qind e rasteve për manipulime zgjedhore përfundojnë me dënime me kusht ose gjoba. Çohu u ka bërë thirrje gjykatave që personat përgjegjës për manipulimin e procesit zgjedhor të ndëshkohen me dënime më të rënda, efektive dhe proporcionale, me qëllim mbrojtjen e integritetit të zgjedhjeve dhe parandalimin e shkeljeve të tilla.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti