SHBA u bën thirrje shtetasve të saj të largohen menjëherë nga Izraeli mes kërcënimit të një sulmi ndaj Iranit

SHBA ka autorizuar largimin e punonjësve jo-thelbësorë të qeverisë dhe familjeve të tyre nga Izraeli, ndërsa rritet kërcënimi për një sulm amerikan ndaj Iranit.
Qytetarët amerikanë duhet “të konsiderojnë largimin nga Izraeli për sa kohë që fluturimet komerciale janë të disponueshme”, thuhej në njoftimin e Departamentit të Shtetit. Gjithashtu u këshillua të shmanget udhëtimi drejt Izraelit, raporton The Guardian.
Paralajmërimi erdhi pasi bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit për të ardhmen e programit bërthamor të Teheranit përfunduan pa përfundim të qartë, me sugjerimin se diskutime të tjera do të mbahen javën e ardhshme. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka vendosur dy grupe me aeroplanmbajtëse të gatshme për të sulmuar Iranin nëse beson se Teherani nuk është serioz për t’i dhënë fund aktiviteteve të tij bërthamore.
Paralajmërimi i Departamentit të Shtetit u plotësua me një mesazh për stafin e ambasadës amerikane nga ambasadori në Izrael, Mike Huckabee, i cili u bëri thirrje atyre që dëshironin të largoheshin ta bënin këtë “SOT”.
Ai kontaktoi stafin e ambasadës me një email të dërguar në orën 12:04 pas mesnate me orën lokale, duke i nxitur të rezervonin fluturime kudo që të mundnin.
Kjo lëvizje “ka të ngjarë të rezultojë në kërkesë të lartë për vende në avionë sot”, shkroi ai. “Përqendrohuni në sigurimin e një vendi drejt çdo destinacioni nga ku më pas mund të vazhdoni udhëtimin për në Washington, por përparësia e parë është largimi sa më shpejt nga vendi.”
Thirrja për t’u larguar nga Izraeli erdhi ndërsa ministri i jashtëm i Omanit, Badr Albusaidi, ndërmjetësi kryesor në bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit, udhëtoi drejt Washingtonit në atë që dukej gjithnjë e më shumë si një përpjekje e fundit për të bindur administratën Trump të përmbahej. Ai pritet të informojë zëvendëspresidentin JD Vance dhe të argumentojë se është bërë mjaftueshëm përparim në bisedime për të justifikuar kujdes.
Urgjenca e vizitës së tij, disa orë pasi bisedimet mes Iranit dhe SHBA-së përfunduan në Gjenevë të enjten në mbrëmje, sugjeron se ai beson se duhet të veprojë shpejt për të kundërshtuar ata që po argumentojnë për një ndërhyrje ushtarake.
Në një shenjë se ekzistojnë dallime të mëdha mes palëve, udhëheqja iraniane i bëri thirrje SHBA-së të heqë dorë nga kërkesat e saj më të ashpra. Negociatorët amerikanë, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, nuk lëshuan asnjë deklaratë pas bisedimeve./Periskopi
