Emiratet e Bashkuara Arabe rifillojnë fluturime të kufizuara mes kaosit ajror në Lindjen e Mesme

Emiratet e Bashkuara Arabe kanë rifilluar një numër të kufizuar fluturimesh, ndërsa kaosi në trafikun ajror vazhdon në mbarë rajonin për shkak të luftës së përbashkët të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit dhe kundërpërgjigjeve të Teheranit.
Autoriteti i aeroporteve të Dubait njoftoi se ka autorizuar një numër të vogël fluturimesh nga Dubai International Airport, aeroporti më i ngarkuar në botë për pasagjerë ndërkombëtarë, si dhe nga Dubai World Central. Udhëtarëve u është kërkuar të mos paraqiten në aeroport pa konfirmim zyrtar nga kompania ajrore për orarin e nisjes.
Kompania Emirates njoftoi rifillimin e kufizuar të fluturimeve, duke i dhënë përparësi pasagjerëve me rezervime ekzistuese. Ndërkohë, Etihad Airways bëri të ditur se fluturimet komerciale mbeten të pezulluara deri të mërkurën, por mund të realizohen fluturime riatdhesimi dhe transporti mallrash, në varësi të kushteve të sigurisë, transmeton Klankosova.tv.
Sipas kompanisë së të dhënave të aviacionit Cirium, mbi 11 mijë fluturime janë anuluar që nga nisja e konfliktit, duke lënë qindra mijëra pasagjerë të bllokuar dhe duke detyruar disa qeveri të hartojnë plane riatdhesimi për qytetarët e tyre./Periskopi
