Hasani: Jam në pritje për intervistim nga Prokuroria për falsifikimin e diplomës së dekanit të Juridikut

Hasani: Jam në pritje për intervistim nga Prokuroria për falsifikimin e diplomës së dekanit të Juridikut

Profesori i së drejtës dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Enver Hasani, thotë se është në pritje për intervistim nga Prokuroria, pas rihapjes së hetimeve për pretendimet e tij se dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka, e ka të falsifikuar një diplomë ndërkombëtare të doktoratës, e po ashtu edhe se punimin tjetër të doktoratës në UP,  e ka plagjiaturë.

Hasani, insiston se ka prova për këto pretendimet.

“Nesërmen kur prokurori dha urdhër për hapjen, rihapjen e hetimeve, unë e kuptova që janë mbyllur, që s’ka kund kështu në botë, me qenë denoncues publik dhe mos me të thirr kush me i pa provat që i ke. Unë i kam provat dhe as s’i diskutoj, domethënë, që e provojnë atë që e kam thënë çdo herë, domethënë, që ai nuk ka doktoruar asnjëherë në La Sapienza, asnjëherë nuk ka doktoratë siç e ka thënë gjithë neve, siç e ka thënë në raport kur ka fituar thirrjen akademike të profesorit të asociuar, që e ka. Sot unë kam qenë edhe live dhe i kam me shkrim nga La Sapienza provat dhe i kam të ruajtura. Ajo çështje sigurisht që do të zbardhet”, thotë ai.

KP ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga dekani Puka për pretendimet e Hasanit, mirëpo i njëjti deri sot nuk ka kthyer ndonjë koment a përgjigje.

Hasani, ndërkaq, shprehet kritik edhe ndaj Prokurorisë, që sipas tij, pas denoncimit të parë e kishte mbyllur rastin. Madje kërkon nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të marrë masa ndaj prokurorit që ishte marrë me rastin e tij.

“Unë e informova, ai s’ishte jurist, ishte e tmerrshme. Një prokuror e kishte kryer në Vamë kriminalistikën dhe unë s’e di si e ka dhënë provimin e jurisprudencës edhe me u bërë avokat, prokuror. Dhe unë mendoj që prokuroria dhe kjo shoqëria ime, domethënë, ata kanë KPK-në, organet që i disiplinojnë, me këqyrë me marrë masa, se s’është e mundur, se nuk është problemi i një diplome sot. Ai nesër ta mbyllë edhe rastin e vrasjes, të drogës e të krimit të organizuar. Aty kishte edhe jokompetencë, si e qartë, domethënë, që s’është jurist. Mënyra se si e kishte mbyllur ishte e turpshme. Dhe unë pres tash, jam në pritje me i dhënë provat e mia, deklaratat e mia dhe unë jam optimist që ajo çështje do të zbardhet përfundimisht”, deklaroi ai.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese dhe profesori Hasani, më 19 qershor 2023, përmes e-mailit, kishte paraqitur dyshimet e tij tek Prokuroria se Puka ka kryer veprat penale “Mashtrimi” nga neni 323 të Kodit Penal dhe “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 të Kodit Penal.

Sipas Hasanit, dekani i Juridikut ka gënjyer se ka kryer doktoratën në Fakultetin Juridik në Universitetin “La Sapienza” në Romë të Italisë ndërsa ka thënë se Puka edhe temën e doktoratës të kryer në UP e ka plagjiat.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti