Luis Diaz po shkëlqen tek Bayern Munich, Liverpool kritikohet për shitjen e tij

Transferimi i Luis Diaz nga Liverpooli te Bayerni i Munihyt verën e kaluar po kritikohet gjithnjë e më shumë, veçanërisht në Angli, ku zëra të njohur e konsiderojnë marrëveshjen si një gabim të madh të drejtuesve të klubit nga Anfield.
Ndërkohë që Liverpool po kalon një sezon të vakët, sulmuesi kolumbian po shkëlqen si në Bundesligë ashtu edhe në Champions League. 29 vjecari e konfirmoi formën e tij edhe në gjysmëfinalen e parë ndaj PSG, ku realizoi një nga golat më të bukur të mbrëmjes në Paris.
Bayern Munich pagoi rreth 65 milionë euro për të dhe, sipas vlerësimeve, është më se i kënaqur me këtë investim.
Ish-futbollisti i Manchester City, Micah Richards, është shprehur se nuk arrin ta kuptojë vendimin e Liverpool për ta shitur Díaz, duke theksuar se mbajtja e Kodi Gakpo në vend të tij ishte një zgjedhje e pakuptimtë, madje e cilësuar si e gabuar jo vetëm në aspektin sportiv.
Sipas tij, Diaz po dominon në skenën më të madhe evropiane, duke shënuar ndaj ekipeve si Real Madrid dhe PSG, dhe duke treguar cilësi të jashtëzakonshme si shpejtësia, fuqia dhe aftësia për të ndryshuar rrjedhën e ndeshjes. Ai ka shtuar se Liverpool nuk ka humbur thjesht një lojtar, por një xhevahir të vërtetë.
Në të njëjtën linjë është edhe ish-mbrojtësi i Liverpool, Jamie Carragher, i cili ka deklaruar se Díaz nuk ishte lojtari që duhej shitur dhe se është ende e vështirë të gjendet një justifikim për largimin e tij. Ai ka nënvizuar se futbollistë të tillë janë të rrallë në treg dhe se prania e tij në fushë e bën çdo ndeshje më tërheqëse.
Ndërkohë, edhe legjenda e Liverpool, Steven Gerrard, ka lënë të kuptohet se rikthimi i Díaz do të ishte i mirëpritur, duke pranuar se skuadrës i mungon një lojtar me cilësitë e tij.
Performancat e Luis Diaz po e bëjnë gjithnjë e më të diskutueshëm vendimin e Liverpool, ndërsa Bayern Munich duket se ka bërë një nga goditjet më të suksesshme në merkato.
