Inter Miami mund të nënshkruajë me yllin e Atletico Madridit

Rodrigo De Paul mund të jetë pranë fundit të aventurës së tij si lojtar i Atlético Madrid. Mesfushori argjentinas, i cili ka kontratë deri në vitin 2026, ka hyrë në radarët e Inter Miami, projekti ambicioz në Major League Soccer i udhëhequr nga Leo Messi.
Drejtuesit e klubit spanjoll janë të vetëdijshëm se merkatoja e verës që po afrohet përfaqëson mundësinë e fundit reale për të përfituar një shumë të konsiderueshme për një lojtar që tashmë ka kaluar të 30-at.
Që nga mbërritja e tij në “Metropolitano” në vitin 2021 nga Udinese, De Paul ka pasur një rol të rëndësishëm në skemat e Diego Pablo Simeones, megjithëse paraqitjet e tij kanë qenë të luhatshme.
Me një personalitet të fortë brenda dhe jashtë fushe, prania e tij në dhomën e zhveshjes ka qenë e rëndësishme, por klubi beson se ka ardhur momenti për një kapitull të ri dhe për të liruar hapësirë në buxhetin e pagave për afrime të reja.
Në Shtetet e Bashkuara, De Paul shihet si një përforcim i rëndësishëm për të rritur konkurrueshmërinë e Miamit.
Marrëdhënia e ngushtë me Messin dhe lojtarë të tjerë si Busquets e Jordi Alba do ta ndihmonte të përshtatet më shpejt në Florida.
Për më tepër, stili i tij i lojës përputhet me profilin që kërkon skuadra e drejtuar nga Javier Mascherano: eksperiencë, pasion dhe aftësi për të udhëhequr mesfushën.
Te Atlético nuk do të ishin kundër një marrëveshjeje që do të siguronte një shumë të arsyeshme për klubin.
Me afrimin e muajit korrik, diskutimet mund të intensifikohen nëse të dy palët mbeten të interesuara.
De Paul nuk e ka fshehur pëlqimin për stilin e jetesës amerikane dhe, pas një periudhe intensive në Europë, një aventurë në MLS mund të jetë përmbyllja ideale e karrierës së tij në nivele të larta. Gjithçka do të varet nga kushtet ekonomike që do të ofrohen./Periskopi/