54 – vjetori i lindjes së heroit kombëtar Indrit Cara, kujtesë dhe nderim.

54 – vjetori i lindjes së heroit kombëtar Indrit Cara, kujtesë dhe nderim.

Shkrimi është i kryetarit të shoqatës “Skenderbeu”, Adem Ajdini                                                                                         

Në datën 11 korrik në sallën auditorium të Ministrisë së Mbrojtjes, nën kujdesin e posaçëm të kryetarit të shoqatës “Shkolla Ushtarake Skënderbej” z. Adem Ajdini, u kujtua 54 – vjetori i lindjes së Skënderbegasit Indrit Lulzim Cara, Ushtar Kavaja, Heroi i Kombit, Vëllai i Adem Jasharit, Nipi i Skënderbeut.

Do të ishin të pranishëm në këtë aktivitet autoritete të strukturave ushtarake, bashkë skënderbegas të Indritit, bashkë luftëtarë të Indritit, bashkëqytetarë Kavajas të Indritit, ushtarak në detyrë dhe ish ushtarak, familjarë, miq e të ftuar.

Ky aktivitet i madh do të moderohej nga e mirënjohura Hygerta Sako.

Himnit kombëtar do ja linte vendin një dokumentar për Indrit Carën.

Indriti lindi në qytetin e Kavajës në 11 korrik 1971, arsimin bazë e mori në qytetin e tij të lindjes Kavajë.

Shkollën e mesme e kreu në Tiranë, Shkolla Ushtarake Skënderbej.

Në vitin 1991 do të largohej në Itali, e mandej në vitin 1994 zhvendoset në Londër.

Në vitin 1999 ndjenja kombëtare tek Indriti u bë dominant, duke marrë vendimin ti bashkohej ushtrisë çlirimtare të Kosovës, për t’a çliruar nga robëria Serbe.

Ra dëshmor në tokën e Kosovës në 31 mars 1999, në majën e Gallushës, Suharekë, për të qenë rreze lirie dhe krenarie kombëtare.

Fjalën kryesore të këtij aktiviteti për ditëlindjen e heroit Indrit Cara do t’a mbante z. Adem Ajdini, kryetar i ” Shoqata Ushtarake Skënderbej”

  1. Adem në fjalën e tij, midis të tjerave u shpreh,

Indrit Cara, djaloshi i ri energjik, me shpirt luftarak dhe zemër luani, la Londrën dhe u kthye në tokën e nanë Kosovës, për të luftuar për lirinë e Kosovës, kundër shkjaut, Serbit.

Ai sot është hero, hero, një term i harruar moti, por që shkundi thellë vetëdijen dhe ndërgjegjet tona.

Tek Indriti ne shohim trimëritë e Skënderbeut, Mic Sokolit, Ismail Qemalit, Isa Boletinit e komandant Adem Jasharit.

Shkolla Ushtarake Skënderbej ka sot obligim kombëtar që drita e legjendës së kësaj shkolle dhe e bijëve të saj më të ndritur të mos shuhet kurrë, duke mbajtur përgjithmonë të ndezur pishtarin e heroizmit të heroit kombëtar Indrit Cara.

Në fjalën e tij kryetari i Unionit të gazetarëve, z. Aleksandër Çipa, aktin e heroit Indrit Cara e quajti një rast unikal në historinë e kombit shqiptar.

Për Indritin atdheu është në skaj, dhe skaji i kombit, Kosova martire, donte bijtë që t’i dilnin për zot, dhe Indriti ishte një nga ata.

Në fushën e betejës në luftë me armikun shekullor, por edhe me kushtet e motit, minus 20 gradë.

Ne theksoi me të madhe Çipa duhet të kemi memorie të fortë historike, për të mos harruar e kujtuar të gjithë ata si Indriti që forcojnë themelet e identitetit tonë kombëtar.

Shumë emocionuese do të ishte fjala e bashkëluftëtarit të Indritit, kolonel Besim Gashi.

Pa Shqipëri, Kosovë nuk ka, e filloi fjalën e tij kolonel Gashi, duke e bërë sallën të duartroks.

Nuk do mjaftonte as talenti i Dritëro Agollit për të përkujtuar Indritin.

Ne jemi gjenerata me fat që po jetojmë lirinë dhe kemi mundësinë të vijmë në Tiranë, në këtë qytet për të cilin shqiptarët e Kosovës kanë ëndërruar me dekada.

Kur flaka e luftës ishte ishte në kulmin e saj, në ndihmë u gjend Indriti, biri i Shqipërisë, që u bë edhe biri i Kosovës.

Për ne, Indriti ka vetëm ditëlindje, sepse ai jeton përjetë në zemrat tona.

Që të mos e harrojmë asnjëherë, emrin e tij ia kemi vënë rrugëve, shkollave dhe madje edhe fëmijëve tanë në Kosovë.

Në vijim u shfaq në monitor një këngë për Indrit Carën, kënduar nga këngëtari i mirënjohur Ilir Shaqiri, që do sillte emocione të tjera në sallë.

Një fjalim i veçant për Indritin do mbahej nga z. Islam Veliu, ish kryetari i bashkisë Kavajë, 2000 – 2003.

Midis të tjerash zoti Veliu u shpreh, jam këtu si jo vetëm si bashkëqytetarë i Indritit por edhe si njeriu që vendosi në memorium emrin e tij me emërtimin e shëtitores Indrit Cara, dhe bustin e tij para 24 vjetësh, sepse kavajasit e duan heroin e tyre, e i përulen me respekt e mirënjohje.

Do të doja të ishin këtu dhe prindërit e tij, ata njerëz të dashur dhe të shtrenjtë, siç kanë qenë kurdoherë në sakrifica e përpjekje ku koha i ka kërkuar.

Unë besoj në Zot dhe e di që ata janë këtu me ne.

Një poezi mjaft e ndjerë nga Leta Ajdini, do vinte me zërin mjeshtëror të regjizorit Xhelil Aliu.

Në këtë aktivitetet të 54 – vjetorit të ditëlindjes së heroit kombëtar Indrit Cara, e mori fjalën dhe Adem Shehi, luftëtar vullnetar i UÇK, pranë ZOLL, me detyrën e Komandantit të Br.153 të UÇK.

Zoti Shehi në fjalën e tij u ndal në faktin se në formacionet luftarake në Kosovë ishin vullnetarë nga të gjitha trevat dhe krahinat e Shqipërisë, duke filluar nga Çamëria, pjesa Jugore e Shqipërisë, ajo e mesme dhe pjesa Veriore.

Indriti erdhi nga emigrimi, la Londrën dhe u bë luftëtarë i lirisë, duke dhënë jetën për kauzën kombëtare.

Si unë u shpreh Zoti Shehi që dolën vullnetarë në luftën e Kosovës janë dhe 187 luftëtarë të tjerë nga Shqipëria. Rreth një e treta e këtyre vullnetarëve janë dëshmor.

Me interes do ndiqej dhe fjala e shkurtër por gjithë emocione e familjarit të Indritit z. Adhurim Cara.

Është nderi i madh për mua dhe për familjen Cara në qytetin e Kavajës të jem sot në këtë aktivitet të organizuar nga Shoqata Ushtarake Skënderbej, për të kujtuar dhe nderuar sakrificën e heroit tonë kombëtar Indrit Cara.

Indriti nuk ishte vetëm njeriu jonë, por është simbol i guximit, atdhedashurisë dhe idealizmit.

Jeta e tij u pre shpejt, por kujtimi i tij jeton përjetësisht në zemrat tona dhe në historinë e kombit.

Më pas fjalën do e merrte Ali Hasani, i cili tha se Indriti nuk e ka dhënë jetën jo shumë larg Kukësit, mbas malit të Pashtrikut, ndaj dhimbja dhe kujtimi për Indritin është më i gjallë se kurrë në Kukës.

Në muzeun që Shoqata Malziu po bën në Kukës në një stendë të veçant do jetë heroi kombëtar Indrit Cara.

Në emër të Shoqatës Malziu, z. Ali Hasani i dorëzoi familjarit të Indritit, certifikatë mirënjohjeje, me motivacionin, për çlirimin e Kosovës martire nga pushtuesit Serbë.

Nga tenori Kastriot Tusha u shfaq një këngë për heroin Indrit Cara.

Në fund e mori fjalën zv/komandanti i Akademisë së Forcave të Armatosura, kolonel Altin Gjetaj.

Dëshiroj që të ndaj me ju periudhën e formimit të tij si ushtarak në shkollën “Skëndërbej”, sot Akademia e Forcave të Armatosura, pasi për fëmijërinë, edukimin, dhe jetën e tij u përmend nga parafolësit.

Indriti mëshironte vlerat më të larta të patriotizmit që ishin ushqyer në familjen e tij, teksa formimi i tij si ushtarak me cilësitë më të mira, skalitën karakterin e tij si Skënderbegas, brumosur me trinomin e shenjtë Atdheu – Nderi – Detyra.

Ne dhe çdo shqiptar ndihemi krenarë për çfarë ka pas Indrit Cara, ushtar Kavaja, i cili ra dëshmor në luftën për çlirimin e Kosovës.

Përkujtimi i heronjve si Indrit Cara duhet amplifikuar ndër breza duke tejkaluar kufij, sepse liria dhe paqja që gëzojmë sot është falë gjakut të derdhur të bijve e bijave të Kombit.

Në përmbyllje të aktivitetit nuk kish si të mungonte kënga himn Mora fjalë, të kënduar nga Shkurte Fejza.

Ky aktivitet me rastin e 54 vjetorit të ditëlindjes së heroit kombëtar Indrit Cara, ishte si një buqetë e madhe me lule, me lule nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe Kosovës, kjo buqetë e madhe u formua nga të gjithë ata që morën pjesë, ata që folën për Indritin, për jetën e tij, formimin e tij, vendimin e tij për t’ju bashkuar thirrjes së tij të brendshme, rënies së tij në dheun e Kosovës martire, për frymën e tij që endet si dritë e pashuar tek çdo atdhetar, tek frymëzimi i pashterur në breza, si një amanet që kombi dhe liria e tij është gjëja me e shtrenjtë.

Ky aktivitet patriotik, për të nderuar një meteor, një flamurtar lirie, nuk mund të mbahej pa kujdesin e posaçëm dhe këmbëngulës së kryetarit të Shoqata Ushtarake Skënderbej, Adem Ajdini, i cili nuk ka rreshtur gjithë këto vite t’a vendosi atje ku Indriti e ka vendin e merituar, në piedestalin e nderit, atje ku kombi mban më të mirët e tij.

Kohët e vështira krijojnë heronjë që për lirinë sfidojnë vdekjen, ndërsa paqja krijon heronjë të heshtur që dinë të nderojnë më të përndriturit e tyre./Periskopi/

 

 

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti