Zëdhënësi i KQZ-së: Në natën e Vitit të Ri, nuk do të ketë numërim të votave

Zëdhënësi i KQZ-së: Në natën e Vitit të Ri, nuk do të ketë numërim të votave

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar se në natën e ndërrimit të mot-moteve apo më 31 janar, nuk do të ketë numërim të fletëvotimeve

Elezi bëri të ditur se edhe pse numërimi i fletëvotimeve do të ndërpritet në natën e Vitit të Ri, kutitë e votimit do të ruhen vazhdimisht nga Policia e Kosovës.

“Në natën e fundvitit apo ndërrimit të mot-moteve nuk do të ketë numërim të fletëvotimeve. Orarin se si do të organizohet do ta diskutojmë kur të jemi më afër datës së zgjedhjeve. Materialet zgjedhore, kutitë e votimit, të gjitha këto ruhen në Qendrat Komunale të Numërimit non-stop nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës”, ka deklaruar Elezi në KTV.

I pyetur se pse është kontraktuar kompania e njëjte e cila në zgjedhjet lokale, i shtypi me gabime teknike disa fletëvotime si pasojë e të cilave pati shumë reagime e mundësi për keqpërdorim në Mitrovicën e Jugut, zëdhënësi i KQZ-së tha se janë ndërmarrë disa masa, një ndër to vendosja e një QR Kodi-it për gjurmimin nëse do të ketë ndonjë rast të ngjashëm sërish.

“Çështjet e kontraktimit të një kompanie ka të bëjë me aspektet e përmbushjes së kërkesave të ndryshme që dalin nga Ligji për Prokurimin Publik. Sa i përket sigurisë, KQZ-ja ka marrë disa hapa në këtë drejtim. Një nga to është vendosja e një QR Kodi në pjesë të caktuara të fletëvotimit përmes së cilave mund të bëhet gjurmimi apo vërejtja e ndonjë rasti të ngjashëm sikurse herën e kaluar. Aktualisht shtypja e fletëvotimeve është duke u bërë në kompaninë e njëjte, në kompaninë CETIS. Janë shtypur fletëvotimet që dërgohen me postë ndërsa po shtypen aktualisht edhe të tjerat”, ka deklaruar Elezi./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti