Trump i drejtohet kombit, kritikon Bidenin dhe prezanton iniciativa të reja

Trump i drejtohet kombit, kritikon Bidenin dhe prezanton iniciativa të reja

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, mbajti një fjalim 18-minutësh drejtuar kombit nga Shtëpia e Bardhë, ku u ndal te politikat e administratës së tij, kritikat ndaj paraardhësit dhe disa iniciativa të reja.

Në hapje të fjalimit, Trump fajësoi ish-presidentin Joe Biden për atë që e quajti trashëgimi të një vendi në “rrëmujë”. Ai renditi një sërë problematikash që, sipas tij, karakterizuan administratën e mëparshme, përfshirë kufijtë “e hapur”, krimin, politikat sociale dhe marrëveshjet tregtare që i cilësoi si më të këqijat e realizuara ndonjëherë, si edhe një qeveri federale që e përshkroi si “të sëmurë dhe të korruptuar”.

Presidenti njoftoi gjithashtu se administrata e tij synon të lëshojë çekë me vlerë 1,776 dollarë për anëtarët e ushtrisë amerikane, në nder të themelimit të Shteteve të Bashkuara. Pagesa, e quajtur “Dividendi i Luftëtarit”, sipas Trump do të financohet nga të ardhurat e siguruara përmes tarifave, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi mekanizmin e financimit.

Gjatë fjalimit, Trump vlerësoi punën e administratës së tij, duke theksuar përpjekjet për të frenuar migracionin e paligjshëm dhe duke mbrojtur performancën ekonomike, pavarësisht shqetësimeve të qytetarëve për koston e jetesës. Ai përsëriti gjithashtu pretendimin se gjatë presidencës së tij janë përfunduar tetë konflikte dhe se në SHBA janë realizuar investime në vlerën e 18 trilionë dollarëve, deklarata që janë kundërshtuar më herët nga kritikët.

Në fjalimin e tij, presidenti ripërsëriti kërkesën që qeveria federale t’u japë drejtpërdrejt qytetarëve fonde për blerjen e mbulimit shëndetësor, në vend që paratë t’u kalojnë kompanive të sigurimeve. Këto deklarata vijnë pas dështimit në Senat të një projektligji republikan që synonte të kanalizonte fonde federale në llogaritë e kursimeve shëndetësore të përfituesve të Aktit të Kujdesit Shëndetësor të Përballueshëm.

Fjalimi u karakterizua nga një ritëm i shpejtë, me Trump që dukej i fokusuar në respektimin e kufirit kohor. Në disa momente, ai u largua nga teksti i përgatitur, por u rikthye shpejt te fjalimi i sinkronizuar, duke i dhënë paraqitjes një ton të ngjeshur dhe intensiv./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti