Rama: Procesi ndaj Thaçit, teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare

Rama: Procesi ndaj Thaçit, teatri i turpit të drejtësisë ndërkombëtare

Kryeministri përsërit kritikat ndaj drejtësisë ndërkombëtare për çështjen Thaçi.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar sërish lidhur me procesin gjyqësor ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë podkastit “Flasim”.

Kjo, pas vizitës së tij në Hagë ku u takua me Thaçin.

Rama e cilësoi këtë proces si një nga padrejtësitë më të rënda në zemër të Evropës demokratike.

Sipas kryeministrit, Thaçi është “rrëmbyer pa gjyq dhe pa akuzë” nga zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, në kuadër të një procesi që, sipas tij, nisi si farsë në Strasburg dhe vijoi në Hagë.

“U rrëmbye për një farsë të nisur për trafik organesh nga kukullat ruse të Dumës së Putinit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës në Strasburg dhe për të vazhduar më pas me lloj-lloj absurditetesh dhe dëshmitarësh qesharakë të akuzës ndërkombëtare në Hagë”, u shpreh Rama.

Ai tha se gjatë takimit e kishte gjetur Hashim Thaçin të qetë dhe të buzëqeshur, duke e cilësuar këtë si qëndrim tipik të një njeriu të pafajshëm me karakter të fortë. “E gjeta komandantin në formë, të qetë e të buzëqeshur, si çdo i pafajshëm me karakter të hekurt si i tij”, tha kryeministri.

Rama theksoi se kjo, sipas tij, është një “padrejtësi ulëritëse” që po ndodh në zemër të Europës demokratike, me bekimin e shteteve europiane dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si dhe me fondet e taksapaguesve.

Ai shtoi se kjo situatë është pasojë e besimit të atyre që votuan për krijimin e kësaj gjykate, duke ia lënë drejtësisë ndërkombëtare detyrën për të bërë drejtësi.

“Në fakt, padrejtësia nuk po u bëhet thjesht disa udhëheqësve të popullit të Kosovës në luftën për liri, por vetë popullit kosovar dhe atij europian”, deklaroi Rama, duke shtuar se Kosova u çlirua nga një regjim nacional-socialist dhe se, sipas tij, falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe figurave si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerë, Evropa u çlirua nga një njollë e zezë apartheidi në zemër të saj.

Në fund të reagimit, kryeministri u shpreh se të akuzuarit po mbahen prej më shumë se pesë vitesh në paraburgim pa gjyq në Hagë, duke i cilësuar si pengje të padrejtësisë.

Ai uroi që viti i ri të sjellë fundin e këtij procesi, të cilin e quajti “turp mbi kurrizin e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të Republikës së Kosovës”, duke theksuar se, sipas tij, përveç disa individëve të pafajshëm, po dëmtohet një kauzë e tërë./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti