Broja pas golit të parë në Premier League: Ndihem fantastik

Broja pas golit të parë në Premier League: Ndihem fantastik

Armando Broja ka shënuar golin e tij të parë me fanellën e Burnley, duke i siguruar skuadrës një pikë të vlefshme në barazimin 1-1 ndaj Bournemouth, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Vitality”.

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë u inkuadrua në pjesën e dytë si zëvendësues dhe u tregua vendimtar në minutat e fundit të takimit, kur me një goditje me kokë barazoi rezultatin pas një krosi të saktë nga Marcus Edwards, gjithashtu i futur nga stoli.

Pas ndeshjes, Broja u shpreh i kënaqur me golin dhe kontributin e tij për skuadrën.

“Ndihem fantastik, për të qenë i sinqertë. Nuk mund të kishte ardhur në një moment më të mirë. E pashë Markusin duke e çuar topin në krah dhe e dija që ai ka një shpërndarje shumë të mirë dhe një sy për asistime. Sapo e pashë të hynte nga e majta, e dija që duhej të pozicionohesha mirë,” ka deklaruar Broja.

Ai shtoi se topi erdhi në mënyrë perfekte dhe se goli kishte rëndësi të veçantë si për të, ashtu edhe për ekipin.

“Topi erdhi drejt e në portë dhe unë thjesht duhej ta godisja nga afër. Për fat të mirë arrita ta shënoj. Është një ndjenjë shumë e mirë dhe ka ardhur në kohën e duhur për mua dhe për ekipin,” theksoi sulmuesi shqiptar.

Broja foli edhe për situatën e vështirë të Burnleyt në Premier League, duke pranuar se seria negative kishte qenë e rëndë për skuadrën.

“Nuk është e lehtë të jesh në fund të tabelës në Premier League. Shtatë humbje radhazi nuk janë aspak të lehta, por kjo seri përfundoi sot dhe tani mund të ndërtojmë mbi këtë rezultat për të ecur përpara,” përfundoi Broja./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti