Polici mori ryshfet nga shtetasi serb që t’ia mundësojë hyrjen në Kosovë, kërkohet paraburgim për të dy

Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar paraburgim ndaj dy personave.
Zyrtari policor A.K. dyshohet për marrje ryshfeti, ndërsa shtetasi serb për dhënie ryshfeti dhe kalim të paautorizuar të kufirit.
Sipas kërkesës së prokurorisë “i pandehuri A.K., me datë 22.12.2025, rreth orës 08:10min, në Pikën Kufitare në Vërmicë, në cilësinë e zyrtarit policor, ka kërkuar dhe pranuar ryshfet nga B.C., me qëllim të përfitimit pasuror për vete. I njëjti, duke shfrytëzuar pozitën e tij dhe i veshur me uniformë zyrtare i ka mundësuar B.C., hyrjen në Republikën e Kosovës, ndonëse këtij të fundit, i ishte ndaluar hyrja në Kosovë nga Policia e Kosovës, për mungesë dokumentacioni. Pas marrjes së parave, A.K., e ka kaluar me veturën e tij ilegalisht kufirin bashkë me të pandehurin B.C., dhe e ka dërguar atë në Prizren”.
“Me këto veprime, A.K., ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” ndërkaq B.C., ka kryer veprat penale “Dhënia e ryshfetit” dhe “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare” të KPRK-së. Prokuroria Themelore në Prizren, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.”/Periskopi/
