Ekstradohen për në Kosovë, dy persona të kërkuar me urdhërarrest ndërkombëtar

Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim dhe bashkëpunim me njësitet tjera relevante të policisë dhe institucionet e drejtësisë, dje ka bërë ekstradimin e dy shtetasve kosovarë, L.V. (1990), dhe A.M. (1991), njëri i ekstraduar nga Gjermania, ndërsa tjetri nga Franca për në Kosovë.
Sipas njoftimit të policisë, ky ekstradim u bë falë bashkëpunimit me këto dy shtete.
Të dyshuarit ishin arrestuar nga autoritete gjermane përkatësisht ato franceze, pasi që ata kërkoheshin me urdhërarrest ndërkombëtar lëshuar nga institucionet e drejtësisë të Republikës së Kosovës.
Ata dyshohet se ishin përfshirë në vepra penale të ndara dhe se ata i ishin shmangur drejtësisë.
Të dyshuarit pas ekstradimit, u janë dorëzuar njësiteve përkatëse të policisë në rajonin e Prishtinës, përkatësisht Gjilanit për vazhdim me procedurat e tjera ligjore./Periskopi/
