Aksident mes trenit dhe një veture në Grabovc të Poshtëm, lëndohen tre persona, Policia jep detaje

Tre persona janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku mes një trenit dhe një veture në fshatin Grabovc i Poshtëm i Obiliqit.
Lajmin për Periskopin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Rreth orës 13:50 kemi pranuar informatën për një aksident trafiku në fshatin Grabovc i Poshtëm. Në këtë aksident ka qenë i përfshirë një tren dhe një automjet. Si pasojë e aksidentit, tre persona janë lënduar”, ka thënë ajo.
Ahmeti ka treguar se me rastin po merret Njësiti i Trafikut Rajonal./Periskopi/
