Procedura, afatet dhe pasojat – Si mund të shkojë Kosova në zgjedhje nëse dështon zgjedhja e Presidentit?

Kosova ka përmbyllur në pak ditë disa prej proceseve më të rëndësishme institucionale: konstituimin e Kuvendit, formimin e qeverisë së re, miratimin e buxhetit për vitin aktual dhe ratifikimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare.
Por një tjetër sfidë e rëndësishme e pret skenën politike të Kosovës, zgjedhja e presidentit të ri.
Afatet kushtetuese tashmë kanë hyrë në fazën vendimtare dhe çdo dështim për ta zgjedhur kreun e shtetit jo vetëm që do të prodhonte vakum institucional, por mund të çojë edhe në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare
Njohës të së drejtës kushtetuese paralajmërojnë se, nëse Kuvendi nuk arrin të sigurojë shumicën e nevojshme, vendi hyn automatikisht në një cikël të ri zgjedhor.
Profesori i së drejtës kushtetuese, Mazllum Baraliu, në një prononcim për FrontOnline ka deklaruar se Kushtetuta e përcakton qartë afatin dhe hapat proceduralë për zgjedhjen e presidentit . Sipas tij, zgjedhja e presidentit duhet të nisë rreth një muaj para përfundimit të mandatit aktual. Nëse kjo nuk ndodh, aktivizohen dispozitat kushtetuese që parashohin afate të tjera, përfshirë mundësinë që brenda 60 ditësh nga formimi i Kuvendit të përmbyllet zgjedhja e kreut të shtetit.
‘’ Procedura shkon një muaj përpara se të kryhet mandati duhet të bëhet zgjedhje dhe nëse nuk bëhet duhet zbatohet dispozitë tjetër e Kushtetutës e cila e parasheh mundësinë që 60 ditë pas formimit të kuvendit brenda dite duhet te behet zgjidhja e presidentit po ne atë rast rolin e ushtruesit të detyrës se presidentin me rastin e kalimit te mandatit deri me 4 prill’’, tha profesori Baraliu.
Baraliu tha se në rast se mandati përfundon dhe procedurat nuk janë kryer deri më 4 prill, rolin e ushtruesit të detyrës së presidentit e merr kryetarja e Kuvendit, ndërsa brenda afatit 60-ditor duhet të përfundojë procesi i zgjedhjes.
‘’ Nëse deri atëherë nuk kryhen procedurat e merr kryetarja e kuvendit dhe kështu brenda 60 dite duhet te kryhet procedura’’, deklaroi Baraliu.
Baraliu konsideron se skenari më i favorshëm do të ishte që zgjedhja të kryhej brenda një muaji, konkretisht deri më 4 mars. Në të kundërtën, ai sugjeron se një dorëheqje e presidentes para kësaj date do të hapte rrugë për ushtrimin e detyrës nga kryetarja e Kuvendit, duke shmangur kështu rrezikun e zgjedhjeve të parakohshme.
‘’ Me e mira do te ishte që procedura te kryhej brenda një muaji, me fjale te tjera deri8 me 4 mars duhet te behej zgjedhja e presidentit nëse kjo nuk behet me mire do te ishte te japë presidentja e vendit dorëheqje para datës 4 mars ne mënyrë që te hapet mundësia që ta marrë detyrën në ushtrim e sipër kryetarja e kuvendit që të mos shkojmë në zgjedhje të parakohshme’’, vlerëson profesori i së drejtës kushtetuese.
Për njërin nga hartuesit e Kushtetutës së Kosovës, Ismet Salihu, më e mira është që partitë politike të arrijnë një marrëveshje paraprake për kandidatin për president.
Ai tha për Front Online se çdo vonesë në arritjen e një marrëveshjeje nuk do të ishte e favorshme për vendin.
‘’Më e mira është që të merren vesh partitë mes vete paraprakisht për kandidatin për president , nëse nuk mirën vesh nuk do të jetë mirë. Këtu tash sipas kësaj që po shoh ka pak shtyrje për marrëveshje unike, e mira ë së mirës është të merren vesh partitë për kandidatin’’, tha Salihu për Front Online.
Salihu thotë se presidentja aktuale ka punuar mirë deri tani dhe konsiderohet e pranueshme si në Bashkimin Evropian, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas tij, ajo duhet të jetë kandidate për president me marrëveshje mes subjekteve politike.
‘’Presidentja aktuale me punën e saj të deri tanishme ka performuar mirë , është e pranueshme në BE por edhe në Amerikë, sipas mendimit tim ajo duhet të jetë kandidate me marrëveshje për presidente’’, tha Salihu.
Salihu shton se nëse nuk arrihet marrëveshje dhe propozohet një kandidat që nuk fiton shumicën, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, gjë që sipas tij nuk është në interes të Kosovës.
‘’Nëse nuk merren vesh, nuk arrihet marrëveshje për president nga subjektet politike pozite-opozite, dhe nëse shkohet me kandidat që nuk fiton shumicën vendi shkon ne zgjedhje, te shkohet në zgjedhje te parakohshme për mendimin tim nuk është në interes të Kosovës’’, deklaroi Salihu./Periskopi/
