Nisin hetimet për çmimet e karburanteve në Kosovë

Nisin hetimet për çmimet e karburanteve në Kosovë

Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka filluar monitorimin e tregut të karburanteve në Kosovë, duke përfshirë tregtimin me shumicë dhe me pakicë, me fokus të veçantë tek çmimet e naftës dhe benzinës në pikat e shitjes.

Autoriteti bën të ditur se të gjitha ndërmarrjet që ushtrojnë veprimtari në tregtimin e karburanteve janë aktualisht nën monitorim.

Sipas njoftimit të AKK-së, përmes këtij monitorimi, Autoriteti synon të sigurojë mbrojtje nga marrëveshjet e ndaluara, abuzimi me pozitën dominuese, si dhe praktikat e bashkërenduara ndërmjet ndërmarrjeve që operojnë në këtë treg.

“Rikujtojmë se çdo marrëveshje, bashkërendim apo veprim i njëanshëm ndërmjet bizneseve, që ka për qëllim ose efekt rritjen artificiale të çmimeve, ndarjen e tregut apo kufizimin e konkurrencës, përbën shkelje të rëndë të ligjit dhe është subjekt i sanksioneve ligjore. Në praktikë, çmimet e karburanteve në tregjet ndërkombëtare përditësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke reflektuar faktorë të ndryshëm si oferta dhe kërkesa, kostot e përpunimit, si dhe zhvillimet ekonomike dhe gjeopolitike. Për këtë arsye, pritet që edhe luhatjet e çmimeve në tregun vendor të reflektojnë drejtimin dhe përmasën e ndryshimeve në tregjet ndërkombëtare, duke u bazuar gjithmonë në parimet e transparencës, funksionimit të rregullt të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorëve nga çmime të padrejta apo praktika që cenojnë konkurrencën në tregun e karburanteve në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Autoritetit të Konkurrencës më 05.03.2026.

Autoriteti u bën thirrje bizneseve që të veprojnë në përputhje me parimet e konkurrencës së lirë dhe të ndershme; të shmangin çdo formë të bashkërendimit të çmimeve me operatorë të tjerë; dhe të tregojnë përgjegjësi sociale ndaj qytetarëve dhe konsumatorëve.

“Autoriteti i Konkurrencës thekson se ky proces monitorimi po zhvillohet në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me MINT-in, ATK-në, Doganën dhe mekanizmat e tjerë përgjegjës për zbatimin e ligjit, me qëllim të sigurimit të respektimit të plotë të legjislacionit në fuqi, si dhe të vendimeve dhe rregulloreve të përcaktuara nga institucionet relevante në Republikën e Kosovës”, përfundon njoftimi i AKK-së.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti