Paqja në Ukrainë: Mbërrin Kushner dhe Witkoff në Berlin, Merz ndan pamjet

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka publikuar pamje nga pritja e delegacioneve ukrainase dhe amerikane në Berlin.
Në pamje shihet momenti kur Merz pret fillimisht presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, të cilit i bën me dije se delegacioni amerikan ka mbërritur në kryeqytetin gjerman. Në fotografi të tjera, kancelari gjerman shfaqet duke mirëpritur ngrohtësisht edhe përfaqësuesin e posaçëm amerikan, Steve witkoff, si dhe Jared Kushner, dhëndrin e presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Krahas pamjeve, Merz ka shpërndarë edhe një mesazh, ku thekson angazhimin për paqe në Ukrainë.
“Ne duam paqe të qëndrueshme në Ukrainë. Na presin sfida të vështira, por jemi të vendosur të ecim përpara. Interesat ukrainase janë edhe interesa evropiane”, shkruan kancelari gjerman./Periskopi/
