Profesoresha thotë se slogani i VV-së është më problematiku: “Mos lësho pe” presupozon konflikt të vazhdueshëm

Profesoresha thotë se slogani i VV-së është më problematiku: “Mos lësho pe” presupozon konflikt të vazhdueshëm

Profesoresha e Fakultetit të Filologjisë, Vjosa Sadriu-Hamiti, ka bërë një analizë të sloganeve të partive politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Ajo ka shpejguar se çka duhet të përmbajë një slogan, teksa ka bërë krahasimet e sloganeve të partive politike në vend.

Sipas saj, sloganin i VV-së është më problematiku:

“Slogani i Lëvizjes Vetëvendosje “Siguri dhe begati. Mos lësho pe!” është më problematiku. Në planin diskursiv, ai përzien premtime sociale (begati), rend institucional (siguri) dhe një thirrje rezistence politike (mos lësho pe). Por pikërisht kjo thirrje e fundit e zhvendos sloganin nga gjuha e qeverisjes te gjuha e mobilizimit permanent. “Mos lësho pe” presupozon konflikt të vazhdueshëm, armiq të brendshëm ose të jashtëm dhe një gjendje të përhershme rreziku — një logjikë që vështirë pajtohet me idenë e stabilitetit dhe normalitetit demokratik. Në vend të qetësimit të elektoratit, slogani e ushqen polarizimin dhe e legjitimon diskursin e përplasjes.” – ka shkruar ajo.

Më poshtë analiza e saj e plotë:

Sloganet e partive politike në Kosovë për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare 2025

Fjalori i Shqipes së Sotme e përkufizon fjalën slogan si vijon: slogán, -i, emër i gjinisë mashkullore; shumës slogane(t); fjalë e ligjërimit libror, e përdorur kryesisht me kuptim keqësues, në domethënien parullë e zbrazët ose mashtruese.

Ndërkohë, The Cambridge Dictionary e përkufizon slogan-in si “a short, easily remembered phrase used to describe the character of something, especially a political idea or a product”, pra, një frazë e shkurtër dhe lehtësisht e kujtueshme, që përdoret për të përshkruar karakterin e diçkaje, veçanërisht të një ideje politike ose të një produkti. Edhe në gjuhën gjermane, sipas Duden.de, Slogan përkufizohet si „besonders in Ëerbung und Politik verëendete Redensart, einprägsame, ëirkungsvoll formulierte Redeëendung“, domethënë një shprehje e shkurtër, e goditur dhe lehtësisht e kujtueshme, e përdorur kryesisht në politikë dhe reklamë.

Krahasimi i këtyre tri përkufizimeve tregon qartë se në anglisht dhe gjermanisht termi slogan ka një ngarkesë semantike neutrale, ndërsa në shqip bart ende nuanca përkeqësuese. Kjo dallueshmëri mund të shihet si një mbetje konceptuale e fjalorëve normativë të periudhës së komunizmit, ku diskursi politik dhe parullat ideologjike trajtoheshin shpesh me dyshim ose si mjete manipulimi.

Sipas librit të botuar sivjet, Eight Ëords That Changed the Ëorld: A Modern History of the Election Slogan (Tetë fjalët që e kanë ndryshuar botën: histori bashkëkohore e sloganit zgjedhor), nga autori Chris Bruni-Loëe, analiza e sloganeve politike në demokracitë moderne tregon se një numër i kufizuar fjalësh përsëriten me dendësi të lartë në fushata elektorale.

Tetë fjalët më të shpeshta në sloganet politike janë: njerëzit, ndryshimi, demokracia, i/e fortë (strong), bashkë, i ri/e re (neë), koha, më mirë. Krahas tyre, përdoren shpesh edhe fjalë si madhështor (great) dhe e ardhmja. Pra, kemi të bëjmë me rreth dhjetë njësi leksikore bazë, të cilat, në kombinim me fjalë të tjera, ndërtojnë fraza të shkurtra që funksionojnë si slogane politike.

Përdorimi i sloganeve nga partitë politike në Kosovë për zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2025 përshtatet mirë me modelet e përshkruara në literaturën bashkëkohore mbi komunikimin politik. Shumica e tyre ndërtohen rreth fjalëve kyçe universale, të shkurtra dhe emocionalisht të ngarkuara, që synojnë mobilizimin e elektoratit më shumë sesa artikulimin e programeve konkrete.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) në zgjedhjet e shkurtit kishte përdorur sloganin “Bëhu ndryshimi”, i cili përmbante njërën nga tetë fjalët më të shpeshta në sloganet politike ndërkombëtare: ndryshimi. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të vitit 2025, LDK-ja paraqitet me sloganin “Zgjidh shpresën”, një formulim pozitiv dhe emocional, që shmang sulmin e drejtpërdrejtë ndaj kundërshtarëve politikë në një klimë të theksuar polarizimi shoqëror dhe zhgënjimi qytetar. Fillimisht slogani u prezantua si “Zgjedh shpresën”, formë gramatikisht korrekte në vetën e parë njëjës (unë zgjedh shpresën), por më pas u ndryshua në “Zgjidh shpresën”, si thirrje e drejtpërdrejtë, më funksionale për diskursin sloganik (ti zgjidh shpresën).

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në zgjedhjet e shkurtit kishte përdorur sloganin “Kosova mundet më mirë”, ku shfaqet qartë ndajfolja mirë në shkallën krahasore (më mirë), një tjetër element i shpeshtë në sloganet elektorale. Në zgjedhjet e vitit 2025, PDK-ja paraqitet me sloganin “Bashkë. Përpara.”, një formulë e shkurtër, e thjeshtë dhe simbolike, që nënkupton unitet shoqëror e politik, si dhe kapërcimin e ndarjeve dhe të polarizimit ekzistues.

Slogani i Lëvizjes Vetëvendosje “Siguri dhe begati. Mos lësho pe!” është më problematiku. Në planin diskursiv, ai përzien premtime sociale (begati), rend institucional (siguri) dhe një thirrje rezistence politike (mos lësho pe). Por pikërisht kjo thirrje e fundit e zhvendos sloganin nga gjuha e qeverisjes te gjuha e mobilizimit permanent. “Mos lësho pe” presupozon konflikt të vazhdueshëm, armiq të brendshëm ose të jashtëm dhe një gjendje të përhershme rreziku — një logjikë që vështirë pajtohet me idenë e stabilitetit dhe normalitetit demokratik. Në vend të qetësimit të elektoratit, slogani e ushqen polarizimin dhe e legjitimon diskursin e përplasjes.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) paraqitet me sloganin “Krah teje”, një formulim i shkurtër që nënkupton afërsi, mbështetje dhe prezencë pranë qytetarëve. Slogani synon të krijojë lidhje emocionale me votuesin dhe të pozicionojë partinë si përfaqësuese të interesave të drejtpërdrejta të qytetarëve.

Ndërkohë, Nisma Socialdemokrate nuk përdor një slogan tematik në kuptimin klasik, por paraqitet me formulimin “122 me Fatmir Limaj”. Në këtë rast, fokusi nuk është te ideja apo koncepti, por te figura e liderit. Madje, emri nuk lakohet (“me Fatmir Limaj” dhe jo “me Fatmir Limajn”), çka e zhvendos vëmendjen nga korrektësia gjuhësore drejt funksionit politik të mesazhit: thirrja për votë personale. Implicit, slogani përcjell mesazhin “votoni Nismën për shkak të Fatmir Limajt”, duke synuar kryesisht elektoratin e PDK-së dhe duke sinjalizuar gatishmërinë për bashkim politik pas zgjedhjeve, përkatësisht për t’iu bashkuar Grupit Parlamentar të PDK-së./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti