Ndeshja Sllovaki – Kosovë, zyrtarisht e “rrezikshmërisë së lartë”

Ndonëse deri te ndeshja Sllovaki – Kosovë ka edhe më shumë se tre muaj, Federata e Futbollit e Sllovakisë është në vlugun e përgatitjeve për këtë sfidë. Biletat janë vënë në shitje dhe thuajse janë shitur plotësisht.
Këtë e ka bërë të ditur të hënën Federata e Futbollit e Sllovakisë për KOHËN, transmeton Periskopi.
Dhe ndeshja gjysmëfinale e plejofit për kualifikim në Botërorin 2026 nuk e ka trajtimin si të gjitha ndeshjet e tjera.
Ndeshja Sllovaki – Kosovë zhvillohet më 26 mars në Stadiumin Nacional në Bratislavë. Fituesi i kësaj ndeshjeje kualifikohet në finale të plejofit dhe luan në shtëpi me fituesin e ndeshjes Turqi – Rumani.
Më herët këtë muaj federata sllovake nxori në shitje biletat për vendasit. Dhe mori masa të shumta që ato të mos përfundojnë te tifozët e Kosovës.
“Biletat për ndeshjen e shumëpritur të plejofit për kualifikim në FIFA Kupën e Botës 2026 mes Sllovakisë dhe Kosovës janë gati të shiten. Ndeshja, e planifikuar për 26 mars 2026 në Stadiumin Nacional në Bratislavë, ka ngjallur interes shumë të madh te tifozët sllovakë, të etur që të jenë dëshmitarë të historisë që po shkruhet”, kanë thënë nga Federata e Futbollit e Sllovakisë.
Sllovakët janë të përkushtuar të kualifikohen në Botërorin në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Dhe për këtë i përmbahen vazhdimisht termit “histori që po shkruhet”.
Por edhe te Kosova shpresojnë që të kualifikohen në Botëror, ndonëse ndeshja si vendase në një mënyrë favorizon Sllovakinë.
Kosova ka pasur mbështetje të madhe në ndeshjet e fundit si mysafire. Kulmi u arrit muajin e kaluar në Lubjanë, në ndeshjen ndaj Sllovenisë. Shumica e shikuesve në stadium ishin të Kosovës, ndonëse edhe sllovenët u angazhuan që biletat të përfundojnë te tifozët e tyre. Por nuk ia dolën në këtë. Stadiumi “Stozhice” dukej më shumë si të jetë në Kosovë e jo në kryeqendrën sllovene.
Marrë për bazë edhe atë ndeshje, federata sllovake është përkushtuar që shumica në stadium të jenë tifozë sllovakë e jo mbështetës të Kosovës.
Kosovës i takojnë pesë për qind të biletave. Stadiumi në Bratislavë ka kapacitet prej 22 mijë e 500 ulësesh. Rrjedhimisht FFK-së i takojnë 1.125 bileta.
“Tifozët e Kosovës do të jenë në gjendje të blejnë bileta për sektorin e caktuar mysafir. Biletat do të blihen direkt përmes Federatës së Futbollit të Kosovës, duke siguruar që të dy grupet e mbështetësve të mund të bëjnë tifozë për ekipet e tyre, në një mënyrë të sigurt dhe të organizuar”, shkruan në përgjigjen e federatës sllovake.
Masat e sigurisë do të jenë të rrepta, kanë paralajmëruar nga Federata e Futbollit e Sllovakisë.
“Pas konsultimeve midis menaxherëve të sigurisë dhe Policisë së Republikës Sllovake, ndeshja është klasifikuar zyrtarisht si një ngjarje me rrezikshmëri të lartë. Si rezultat, masa të rrepta do të jenë në fuqi në ditën e ndeshjes. Të gjitha biletat u lëshohen individëve me emër dhe kontrollet e identitetit do të bëhen në hyrjet e stadiumit për të garantuar që vetëm pronarët e biletave të kenë qasje”, thonë nga federata sllovake.
Për Kosovën ndeshja e 26 marsit është më e rëndësishmja deri më tani. Për Kosovën sukses i madh është kualifikimi në plejof. Por, tani synohet e ëndërrohet kualifikimi në Botëror./Periskopi/
