Bedri Hamza viziton Thaçin dhe të tjerët: Të fala nga Haga, iu premtova se do t’i gëzojmë më 28 dhjetor!

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka vizituar në Hagë ish-presidentin Hashim Thaçi dhe Kadri Veselin para hapjes zyrtare të fushatës, shkruan Periskopi.
Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se iu ka premtuar atyre se do t’i gëzojnë me 28 dhejtor.
“Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi”, shkroi mes tjerash Hamza
Postimi i plotë:
Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre. I gjeta mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart, pavarësisht padrejtësive me të cilat po përballen këtu.
Si qytetar i Kosovës, si mik, si kryetar i PDK-së dhe kandidat për kryeministër, i ndiej personalisht këto padrejtësi. Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare.
Kosova po i pret bijtë e saj me krenari. Liria ka emrat e tyre dhe ata po rikthehen në shtëpi.
Të fala nga Haga! Iu premtova se do t’i gëzojmë më 28 dhjetor!
