Besnik Tahiri prezanton zotimet programore të AAK`së: Rritje ekonomike, paga më të larta dhe zhvillim të qëndrueshëm

Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka prezantuar zotimet programore të Aleancës gjatë hapjes së fushatës zgjedhore, e cila u shoqërua me entuziazëm të madh dhe energji fitoreje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tahiri ka theksuar se AAK hyn në garë me një listë kandidatësh të përbërë nga burra dhe gra të përkushtuara, si dhe me një vizion të qartë për zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e qytetarëve. Ai ka nënvizuar se programi i Aleancës parasheh një rritje ekonomike vjetore prej 7 për qind, duke synuar rritjen e Bruto Produktit Vendor nga 12 në 14 miliardë euro brenda një mandati katërvjeçar.
Sipas Tahirit, buxheti i shtetit do të rritet në mënyrë graduale, nga 3.3 miliardë euro në vitin 2025, në 4.5 miliardë euro në vitin 2026, për të arritur në 6.1 miliardë euro në vitin e fundit të mandatit, çka sipas tij garanton stabilitet financiar dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Në fokus të programit janë edhe pagat dhe pensionet. AAK parashikon që nga viti 2026 një rritje prej 31 për qind në vlera nominale, me pagën mesatare që synohet të arrijë në 1,100 euro, pagën minimale në 500 euro, si dhe pensione deri në 500 euro, sipas kategorive. Rritja e pagave dhe pensioneve, sipas Tahirit, do të bëhet çdo vit në përputhje me zhvillimin ekonomik dhe inflacionin, për të ruajtur standardin e jetesës.
Po ashtu, ai ka theksuar rëndësinë e investimeve kapitale, të cilat parashihen të rriten mesatarisht me 61 për qind në vitin e parë dhe deri në 240 për qind në vitin 2029, duke i konsideruar ato motor të rritjes ekonomike dhe mirëqenies.
