Maliqi: Heqja e masave u la për janar, kishte hezitime meqë vendimi i BE-së mund të përdorej në fushatë

Maliqi: Heqja e masave u la për janar, kishte hezitime meqë vendimi i BE-së mund të përdorej në fushatë

Fundi i Samitit BE-Ballkan Perëndimor ka prodhuar rezultate pozitive për Kosovën pasi që shtetet anëtare më në fund janë bindur për heqjen e plotë të masave, që megjithatë s’do të ndodh menjëherë. Heqja e tyre do të finalizohet vetëm në fundin e janarit të vitit 2026.

Sipas ekspertit të lartë të “Atlantic Council, Agon Maliqi, brenda shteteve anëtare ka pasur hezitim për heqjen e plotë dhe të menjëhershme të masave, për shkak të mundësisë së për përdorimit të një vendimi të tillë në kohë të fushatës zgjedhore.

“Kjo ka qenë një rrugë e mesme, që edhe të bëhet gjëja e drejta, e që edhe perceptimet të jenë të duhura”, ka thënë Maliqi për Express.

Ai thotë se ky ka qenë kompromisi apo rruga e ndërmjetme për hezitimin që kanë pasur disa prej shteteve.

Sa i përket asaj se kush ka pasur rol për vendimin për heqjen e masave, Maliqi ka thënë se s’mund të dihet qartë, megjithatë sipas tij, mbajtja aktive e masave s’kishte më kuptim.

Maliqi ka thënë se brenda BE-së ka pasur disa shtete hezituese për heqjen e masave që kanë pasur nevojë që të binden për heqjen e tyre.

Rol në këtë vendim për masat Maliqi thotë se kanë mundur të kenë edhe shtete të BE-së siç është Gjermania, por edhe shtete të rajonit, duke përmendur Shqipërinë.

“Besoj se shumë faktor kanë ndikuar në këtë bindje, përfshirë përkrahja e shteteve si Gjermania, diplomacia aktive e Kosovës, shteteve rajonale, Shqipërisë, por edhe letrat e opozitës, të gjitha këto së bashku krijojnë një mozaik ofensive diplomatike që sjell një vendim në këtë moment, i cili megjithatë lihet për janar”, ka thënë Maliqi për Express.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dje pas përfundimit të samitit BE-Ballkan Perëndimor, përmes një video adresimi ka bërë të ditur vendimin e dalë nga ai samit për heqjen e plotë të masave ndaj Kosovës, vendim ky që do të finalizohet në janarin e vitit 2026.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023, pas një seri veprimesh që Qeveria e drjetuar nga lideri i LVV-së, Albin Kurti, që ndërlidheshin me Veriun e vendit dhe zgjedhje lokale në atë pjesë të Republikës së Kosovës.

Si rezultat i këtyre masave, Kosova ishte privuar për vite me radhë nga qindra miliona euro të Bashkimit Evropian që jepen për përkrahje të vendeve që aspirojnë anëtarësimin në Union.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti