Ndezën dritat në Prishtinë, Abdixhiku: Kjo është fryma që duam në Kosovë- dritë, kulturë e jetë

Kandidati për kryeministër nga LDK, Lumir Abdixhiku i është bashkuar ceremonisë së ndezjes së dritave në sheshin e Prishtinës bashkë me kryetarin Përparim Rama.
“Prishtina e ndriçuar është Prishtina e gjallë me sheshe që bashkojnë njerëz, me jetë publike aktive dhe me qytet që respekton qytetarin e vet. Kjo është fryma që duam: qytet me dritë, me kulturë dhe me jetë.
Sikurse në Prishtinë, ashtu edhe në Kosovë njejtë”, shkroi Abdixhiku
Postimi i plotë:
1, 2, 3 dhe i ndezëm dritat e sheshit. 

Me Përparimin sonte, në prani të shumë qytetarëve të Prishtinës, familjarë, prindër të rinj e plot të rinj e të reja me përplot jetë, i ndezëm dritat e fundvitit në sheshet e Kryeqytetit. Ishte një moment simbolik, por mbi të gjitha njerëzor; një çast që i kthen sheshet në hapësira jete, takimi dhe kulture.
Dritat nuk janë vetëm dekor fundviti. Janë gjallëri për qytetin, janë buzëqeshje për fëmijët, janë arsye për familjet të dalin, të ndalen, të bisedojnë dhe ta ndjejnë Prishtinën si shtëpinë e tyre. Janë kulturë urbane, janë ritëm qyteti dhe janë kujtesë se Kryeqyteti jeton kur qytetari është në qendër të vëmendjes.
Prishtina e ndriçuar është Prishtina e gjallë me sheshe që bashkojnë njerëz, me jetë publike aktive dhe me qytet që respekton qytetarin e vet. Kjo është fryma që duam: qytet me dritë, me kulturë dhe me jetë.
Sikurse në Prishtinë, ashtu edhe në Kosovë njejtë.
Duhet të ketë shpresë!
