“Është proklamuar me pompozitet”, Ekspertët me mendime të ndryshme për armatimin e Kosovës

“Është proklamuar me pompozitet”, Ekspertët me mendime të ndryshme për armatimin e Kosovës

Njohësit e sigurisë, ish-ushtaraku Hysen Gecaj dhe profesori universitar Avni Islami, kanë dhënë mendime të ndryshme lidhur me investimet dhe menaxhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Hysen Gecaj në një intervistë për EO ka shprehur rezervat e tij për mënyrën se si janë promovuar disa kontrata dhe deklarata për armatim, duke theksuar se shpesh ato kanë mbetur vetëm deklarata pa rezultate konkrete, gjë që, sipas tij, ka ndikuar në besimin e qytetarëve. Ndërkaq, Islami ka vlerësuar seriozitetin e institucioneve dhe investimet e realizuara si tregues të angazhimit për rritjen e kapaciteteve të FSK-së dhe institucioneve të tjera të sigurisë.

Gecaj ka theksuar se nënshkrimi i kontratave për blerje të armatimeve për FSK-në nuk paraqet problem nëse bëhet në interes të vendit, por ka vënë në dukje se shumë projekte të mëparshme janë bërë më shumë si deklarata se sa si realizime konkrete.

“Për mua në princip nënshkrimi i kontratave për blerje të armatimeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por edhe çfarëdo kontrate që është në interes të vendit, nuk do të kishte dhe nuk do të paraqiste problem për kohën se kur nënshkruhen, mirëpo përderisa kemi shumë raste të tjera që është proklamuar me pompozitet se po nënshkruhen dhe se po e forcojmë FSK-në me armatime, me kabinete për ndërtimin e dronëve, pastaj me fabrika të municioneve dhe me fabrika të dronëve, dhe të gjitha këto kanë mbetur në fakt vetëm si një deklaratë dhe si një orientim drejt opinionit për çështje të caktuara. Në një farë mënyre humbet edhe besimi në raport me popullatën”, tha ai.

Gecaj ka shtuar se deklarata të tilla nuk janë të dobishme as për FSK-në dhe as për vetë Qeverinë, duke theksuar se rëndësi kanë veprimet konkrete dhe jo vetëm nënshkrimi i dokumenteve.

“Edhe kjo deklaratë në këtë fushatë nuk është ajo që do t’i duhej FSK-së dhe nuk do të duhej të ishte as e dobishme edhe për vetë qeverinë, për shkak se është me rëndësi të shihen momente kur do të prehen shiritet e atyre fabrikave dhe jo të ulemi të nënshkruajmë disa letra dhe më pastaj të harrojmë se çka kemi nënshkruar. Këso situata kemi pasur edhe në të kaluarën për fat të keq, ose kemi pasur realizim apo zbatim të tyre në një minimum, i cili nuk është se e ndihmon shumë vendin. Prandaj e them se përderisa kemi deklarata vetëm për një akt nënshkrim të një marrëveshjeje për të cilën nuk dimë shumë, për mua nuk është diçka që duhet t’i besojmë shumë dhe të kemi ndonjë kënaqësi të madhe për interesin e vendit”, tha ai.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti