Rama bllokon SPAK: Nuk shqyrtojmë imunitetin e Ballukut para Kushtetueses

Rama bllokon SPAK: Nuk shqyrtojmë imunitetin e Ballukut para Kushtetueses

Mazhoranca socialiste ka vendosur të bllokojë, të paktën përkohësisht, kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Përmes një qëndrimi të prerë në podkastin e tij, kryeministri Edi Rama njoftoi se Parlamenti nuk do të shprehet deri sa Gjykata Kushtetuese të japë vendimin perfundimtar për pezullimin e numrit 2 të qeverisë: “Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme… nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar. Nuk ka asnjë gjasë që ne, shumica qeverisëse, ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon”, përcjell a2cnn.

Partia Demokratike e ka cilësuar këtë qëndrim si një “akt puçist” që synon asgjësimin e Parlamentit dhe mbrojtjen e korrupsionit qeveritar: “Kërkesa e SPAK bazohet në fakte të vjedhjeve mbi 1.2 miliardë euro. Me këtë akt, Edi Rama jo vetëm bllokon pushtetin gjyqësor, por asgjëson de facto Parlamentin, duke shkelur nenin 118 të Kushtetutës që detyron shqyrtimin e menjëhershëm të arrestit. Rama mbron veten dhe mega-aferat e tij, duke i trajtuar qytetarët si qenie inferior”.

Këshilli i Mandateve dështoi të caktojë një datë për seancën e ardhshme ku diskutohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. 10 mijë faqe prova nga tre prokuorët që ndjekin këtë cështëje do të presin 22 janarin dhe beteja mes pushtetit ekzekutiv dhe atij të drejtësisë, tashmë është zhvendosur në territorin e Gjykatës Kushtetuese./Periskopi/

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti