KESCO kërkon bashkëpunimin e konsumatorëve për kursimin e energjisë elektrike

KESCO kërkon bashkëpunimin e konsumatorëve për kursimin e energjisë elektrike

Sipas njoftimeve të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), sistemi elektroenergjetik po përballet me ngarkesa të rritura, veçanërisht gjatë orëve të pikut: 09:00–12:00, 16:00–20:00 dhe 22:00–23:00.

Këto ngarkesa, që vijnë si rezultat i rritjes së konsumit, lidhen me funksionimin teknik të sistemit elektroenergjetik dhe kërkon bashkëpunim nga të gjithë konsumatorët për të ulur konsumin dhe për të ndihmuar në ruajtjen e stabilitetit të furnizimit.

Masa të thjeshta, të ndërmarra nga secili prej nesh, mund të kenë efekt të madh në sistemin elektroenergjetik, duke kontribuar në stabilitet më të mirë për të gjithë. Si furnizues i energjisë elektrike, KESCO është e angazhuar që të informojë në kohë konsumatorët dhe të kontribuojë në menaxhimin sa më efikas të konsumit, duke theksuar se masa të vogla, të ndërmarra individualisht, mund të kenë ndikim të rëndësishëm për stabilitetin e përgjithshëm të sistemit.

Njëkohësisht, përdorimi më i kujdesshëm i energjisë elektrike ndikon drejtpërdrejt edhe në uljen e shpenzimeve familjare, pra në fatura më të ulëta, sidomos gjatë sezonit kur rritet nevoja për ngrohje.

KESCO fton konsumatorët që, veçanërisht gjatë orëve të pikut, të aplikojnë këto masa praktike:

• Të shmangin përdorimin e pajisjeve me konsum të lartë gjatë orëve të pikut (p.sh. kaldaja elektrike, kondicioner, bojler, lavatriçe dhe tharëse rrobash).

• Të mos ndezin disa pajisje me konsum të lartë njëkohësisht, por të planifikojnë përdorimin e tyre me radhë.

• Të zhvendosin punët shtëpiake që shpenzojnë më shumë energji (larja e rrobave/enëve, tharja, hekurosja) jashtë orareve të pikut.

• Të mbajnë ngrohjen stabile dhe të moderuar, duke shmangur rritjen e temperaturës në maksimum gjatë pikut.

• Të fikin dritat e panevojshme dhe të shmangin konsumimin e energjisë nga pajisjet në standby. Menaxhimi i kujdesshëm i konsumit gjatë orëve të pikut ndihmon që sistemi të funksionojë normalisht dhe parandalon ngarkesa shtesë që mund të vështirësojnë furnizimin në momente të caktuara. Prandaj, çdo kursim, sado i vogël, ndihmon që sistemi të qëndrojë i qëndrueshëm për të gjithë. KESCO falënderon konsumatorët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në këtë proces.

# Lajme
# Sport
# Op-ed
# Video
# Zoya
# Showbiz
# Auto&Tech
# Shëndeti