Abdixhiku: LDK ka qenë dhe mbetet parti e shtetit, jo e pushtetit

Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku me rastin e 36 vjetorit të themelimit të partisë, ka thënë se LDK mbetet parti e shtetit e jo e pushtetit.
“Sot nderojmë me respekt të thellë të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në çdo periudhë dhe në çdo nivel, të gjithë ata burra e gra që i qëndruan besnikë kësaj shtëpie të demokracisë në kohët më të vështira dhe në kohët e shpresës. Nderojmë secilin anëtar e veprimtar që dha kohën, dijen, energjinë dhe jetën e vet në shërbim të Kosovës. Dhe me përulje të veçantë, nderojmë ata që dhanë më të shenjtën për këtë shtëpi të demokracisë dhe për Republikën tonë, duke u flijuar për lirinë dhe shtetin”, shkroi Abdixhiku në Facebook.
Postimi i plotë:
36 vjet më parë, në një kohë represioni dhe errësire, lindi ideja më e madhe politike e Kosovës. Lindi Lidhja Demokratike e Kosovës, projekti i lirisë, i pavarësisë dhe i demokracisë.
LDK nuk ishte thjesht organizim politik. Ishte besëlidhje popullore. Ishte guxim. Ishte vizion. Ishte rruga e vetme drejt shtetit. Nën udhëheqjen e atit themeltar të Republikës, Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, kjo ide u shndërrua në rezistencë paqësore, në organizim shtetëror, në aleancë me botën demokratike; së këndejmi dhe në vet themelet e Republikës sonë.
Liri, pavarësi, demokraci – mbetet programi politik më i suksesshëm i popullit tonë.
Sot nderojmë me respekt të thellë të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në çdo periudhë dhe në çdo nivel, të gjithë ata burra e gra që i qëndruan besnikë kësaj shtëpie të demokracisë në kohët më të vështira dhe në kohët e shpresës. Nderojmë secilin anëtar e veprimtar që dha kohën, dijen, energjinë dhe jetën e vet në shërbim të Kosovës. Dhe me përulje të veçantë, nderojmë ata që dhanë më të shenjtën për këtë shtëpi të demokracisë dhe për Republikën tonë, duke u flijuar për lirinë dhe shtetin.
Sot, në dekadën e katërt të ekzistencës sonë, përgjegjësia jonë është më e madhe se kurrë. Jo për fatin e një partie, por për fatin e Kosovës. Për orientimin e saj perëndimor. Për unitetin e brendshëm. Për zhvillimin, normalitetin dhe shpresën.
LDK ka qenë dhe mbetet parti e shtetit, jo e pushtetit. Parti e dorës së shtrirë, e bashkimit dhe e përgjegjësisë historike.
Sot festojmë 36 vite histori.
Sit vazhdojmë betejën për të ardhmen.
Sepse rruga jonë është e qartë.
Sepse shpresa ka emër.
Sepse Kosova ka nevojë për LDK-në, sot më shumë se kurrë.
Gëzuar 36 vjetorin!
