Dodë Gjergji: Çdo shoqëri në këtë botë sot ka nevojë për paqe, dashuri e mirëkuptim

Me rastin e kremtimit të festës së Krishtlindjes, Ipeshkvi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, Imzot Dodë Gjergji ka organizuar sonte pritje solemne, ku mori pjesë edhe e para e vendit, Vjosa Osmani.
Gjatë fjalimit të tij, Dodë Gjergji tha se çdo shoqëri në këtë botë sot ka nevojë për paqe, dashuri e mirëkuptim.
“Festa e Krishtlindjes është festë e jona. Krishti, mbreti i paqes është për të gjithë, si çdo njeri dhe familje, vendi ynë dhe çdo shoqëri në këtë botë ka nevojë më së shumti sot për paqe dhe dashuri, mirëkuptim dhe gëzim ne zemrën e vet, sepse Krishti është drita që shndrin errësirën jo vetëm të natës së festës, por edhe të menduarit, ngjarjeve të cilat i jetojmë dhe që kanë kapluar në zemrën e njeriut një shoqëri apo familje. Le të jetë Krishti drita që shkëlqen në zemrën e secilit. Le të vazhdojmë së bashku për të lutur në këtë natë të shenjtë për secilin prej nesh për të gjitha besimet”, tha Dodë Gjergji.
Presidentja Vjosa Osmani u shpreh se duhet të ndiqet shembulli i humanistes së madhe shqiptare, Shën Nënë Terezës, për të shprehur solidaritet me të gjithë ata që kërkojnë dhe kanë nevojë për ndihmë.
Ajo shpalosi edhe detaje nga vizita e saj në Vatikan, ku u takua me Papa Leonin e 14-të, me të cilin tha se ka biseduar për rolin e Kosovës si një vend që ka ndërtuar paqe dhe harmoni ndërfetare.
Osmani tha se Kosova mbetet e përkushtuar për t’i forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për të avancuar miqësinë historike. /KP/Periskopi/
